Zyrtarja: Rritja e rasteve të COVID-it, “betejë e ashpër” për punonjësit mjekësorë
2023-01-07 11:24:43

Rritja e fundit e rasteve të COVID-19 në Kinë është një “betejë e ashpër” për punonjësit mjekësorë, por “koha e vështirë do të kalojë” , u shpreh një zyrtare kineze e shëndetësisë.

“Punonjësit mjekësorë u prekën nga virusi. Edhe familjarët e tyre u prekën,” tha Jiao Yahui, drejtore e Departmentit të Çështjeve Mjekësore pranë Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë. “Ata kanë qenë nën trysni fizike dhe mendore.”

Jiao shtoi se punonjësit nuk kishte zgjedhje  tjetër përveçse të merrnin pjesë në këtë betejë me frymë luftarake.

Ulja e trysnisë

Jiao u shpreh se, për të pakësuar trysninë, qeveria publikoi udhëzime për spitalet në fillimin e dhjetorit pas analizës së kujdesshme të gjendjes.

“E dinim që materialet mjekësore nuk do të ishin të mjaftueshme nëse e linim virusin të prekte njerëzit lirisht,” u shpreh Jiao për Grupin Mediatik të Kinës (CMG). “Duhej të vepronim për të ulur rastet.”

Qeveria e kuptoi se do të shtoheshin nevojat për të ashtuquajturat klinika të etheve, prandaj u kërkoi të gjitha spitaleve që të hapnin klinika të tilla dhe ndërtoi klinika të përkohshme në stadiume.

“Të dhënat statistikore nga një distrikt i Pekinit tregojnë se klinikat e etheve të përkohshme pritën më shumë pacientë se spitalet kryesore,” shpjegoi Jiao. “Këto klinika e zbutën trysninë mbi spitalet.”

Ristrukturimi i spitaleve

Me zhvillimin e situatës, trysnia kaloi nga klinikat e ethes te pavijonet e urgjencës.

“Pas një jave u shfaqën rastet serioze të COVID-it,” i tregoi Jiao CMG-së. “Dhe njerëzit kishin më shumë nevojë për ambulanca dhe shtretër në spitale.”

Qeveria u kërkoi në fillim të dhjetorit spitaleve që të zgjeronin pavijonet e urgjencës, e madje edhe që të ristrukturoheshin tërësisht.

Mungesa e barnave

Jiao foli edhe mbi mungesën e barnave, për të cilën ka pasur ankesa.

“Njerëzit përpiqen të rezervojnë ilaçe, duke zbrazur farmacitë. Kjo është një arsye e rëndësishme,” theksoi ajo.

Jiao i tha CMG-së se arsyeja e dytë është se prodhuesit e barnave s’mund të plotësojnë kërkesat e tregut, të cilat u shtuan shumë.

Arsyeja e tretë, vuri në dukje ajo, është se kompanitë farmaceutike kanë mungesë fuqie punëtore, për shkak se shumë punonjës të tyre u prekën nga virusi i COVID-it dhe duhej të pushonin në shtëpi.