Kinë-Afrikë e Jugut, kryediplomatët shkëmbejnë mesazhe urimi për vendosjen e marrëdhënieve dypalëshe
2023-01-06 19:35:26

foto/VCG

foto/VCG

Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang dhe ministrja e Marrëdhënieve dhe e Bashkëpunimit e Afrikës së Jugut Naledi Pandor kanë shkëmbyer mesazhe urimi për 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve.

Në mesazhin e vet të urimit, Qin Gang vuri në dukje se Kina dhe Afrika e Jugut janë vende "miq dhe vëllezër", me miqësi të sinqertë e besim të ndërsjellë. Nën drejtimin e të dy krerëve të shteteve, të dyja palët kanë arritur rezultate të frytshme në bashkëpunimin praktik dhe thellimin e shkëmbimeve njerëzore e kulturore. Bashkëpunimi i ngushtë në çështjet ndërkombëtare e rajonale është bërë një model i bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella midis vendeve në zhvillim. Kina i shikon gjithmonë marrëdhëniet me Afrikën e Jugut nga një perspektivë strategjike dhe është e gatshme të punojë së bashku me Afrikën e Jugut, duke shfrytëzuar 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe zbatimin e konsensusit të arritur nga dy krerët e shteteve, për të konsoliduar besimin e ndërsjellë politik dypalësh, për të thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe për të promovuar zhvillimin më të madh të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-Afrikë e Jugut.

Ministrja Pandor tha në mesazhin e saj të urimit se marrëdhëniet ndërmjet Afrikës së Jugut e Kinës janë konsoliduar dhe zhvilluar vazhdimisht gjatë 25 vjetëve të fundit. Të dyja palët kanë mbajtur shkëmbime të ngushta në të gjitha nivelet, duke demonstruar vullnetin politik të liderëve të të dy vendeve për të forcuar së bashku marrëdhëniet dypalëshe dhe dëshirën e të dy popujve për të shtuar shkëmbimet. Marrëdhëniet afrikanojugore-kineze shkojnë përtej sferës dypalëshe. Të dyja palët bashkëpunojnë ngushtë në çështjet rajonale e shumëpalëshe, gjë që promovon kauzën e përbashkët të vendeve në zhvillim.  (Fang Xiaoyu/Artan)