Presidenti kinez zhvillon bisedime me homologun turkmenistanas
2023-01-06 20:42:35

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi bisedime të premten paradite në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me homologun e tij turkmenistanas, Serdar Berdimuhamedov, i cili ndodhet për një vizitë shtetërore në Kinë. Të dy krerët e shteteve njoftuan ngritjen e nivelit të marrëdhënieve Kinë-Turkmenistan në partneritet të gjithanshëm strategjik.

 “Kjo është vizita juaj e parë në Kinë që kur keni marrë detyrën si president dhe sot është përvjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Turkmenistanit. Është me domethënie të rëndësishme që kemi hartuar një plan gjithëpërfshirës për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve kino-turkmenistanase dhe kemi shpallur së bashku ngritjen e këtyre marrëdhënieve në një partneritet të gjithanshëm strategjik,” theksoi Xi Jinping-u.

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Ai vuri në dukje më tej se Kina dhe Turkmenistani kanë ide e qëllime të ngjashme dhe duhet të punojnë së bashku, të shfrytëzojnë potencialin e bashkëpunimit dhe të arrijnë zhvillimin e përbashkët. Kina është e gatshme të punojë me Turkmenistanin për të thelluar bashkëpunimin e gjithanshëm dypalësh dhe për të promovuar ndërtimin e një bashkësie me një të ardhme të përbashkët mes të dy vendeve.

Xi Jinping-u theksoi se ndërtimi i një bashkësie me një të ardhme të përbashkët midis Kinës dhe Turkmenistanit bazohet në respektin e ndërsjellë, hapjen, besimin e ndërsjellë dhe përfitimet e përbashkëta. Të dy palët kanë thelluar bashkëpunimin me përfitim të ndërsjellë, kanë mbajtur parasysh  shqetësimet e njëri-tjetrit dhe kanë konsoliduar miqësinë nga brez në brez. Të dyja palët duhet të mbështesin njëra-tjetrën në çështjet me interes thelbësor dhe të respektojnë rrugët e zhvillimit të njëra-tjetrës që u përshtaten kushteve të tyre kombëtare.

foto/Xinhua

foto/Xinhua

 Presidenti Xi bëri të ditur se mekanizmi i bashkëpunimit "Kinë + Pesë Vendet e Azisë Qendrore" është një mekanizëm i ri për bashkëpunimin midis Kinës dhe vendeve të Azisë Qendrore, i cili është i hapur dhe transparent, me përfitime të ndërsjella, i barabartë, pragmatik dhe efektiv. Pala kineze është e gatshme të forcojë komunikimin dhe bashkëpunimin me palën e Turkmenistanit për të siguruar suksesin e samitit të parë " Kinë + Pesë Vendet e Azisë Qendrore".

Presidenti Serdar Berdimuhamedov tha nga ana e tij se është shumë i kënaqur që e bën vizitën e vet të parë shtetërore në Kinë në ditën historike të 31-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Turkmenistanit dhe Kinës. Sipas tij, shkëmbimet miqësore ndërmjet të dy vendeve kanë një histori të gjatë dhe Rruga e lashtë e Mëndafshit i ka lidhur ngushtë të dy palët. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, të dy vendet kanë arritur rezultate të frytshme në shkëmbimet dhe bashkëpunimin në shumë nivele e në fusha të ndryshme, miqësia mes popujve është thelluar dhe marrëdhëniet dypalëshe janë konsoliduar më tej. Pala turkmenistanase mbështet fuqishëm Kinën në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar e të integritetit territorial dhe kundërshton me vendosmëri çdo përpjekje për të ndarë Kinën. Turkmenistani është i gatshëm të promovojë në mënyrë aktive lidhjen e strategjisë "Ringjallja e Rrugës së Mëndafshit" dhe nismës “Një brez, një rrugë”, të zgjerojë më tej bashkëpunimin ekonomik e tregtar midis dy vendeve, të forcojë bashkëpunimin energjetik, si ai lidhur me gazin natyror, dhe të promovojë ndërlidhshmërinë nëpërmjet ndërtimit të hekurudhave ndërkufitare dhe në mënyra të tjera, për të sjellë më shumë përfitime për të dy popujt.

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Pas bisedimeve, të dy krerët nënshkruan dhe publikuan "Deklaratën e Përbashkët ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Turkmenistanit", si dhe dëshmuan bashkërisht nënshkrimin e dokumenteve të bashkëpunimit në fusha si nisma “Një brez, një rrugë”, zhvillimi i gjelbër, ekonomia digjitale, shëndetësia, kultura, sporti, mediet dhe gazi natyror etj.   (Fang Xiaoyu/Artan)