Raketa “Marshimi i Madh-2F” do t’u shërbejë më shumë misioneve në stacionin hapësinor të Kinës
2023-01-04 18:03:46

Kryeprojektuesi i llojit të vetëm të raketave kineze për misionet e fluturimeve me astronautë tregoi pse raketa bartëse “Marshimi i Madh-2F” është mënyra më e përparuar dhe më e sigurt për të dërguar astronautët kinezë në hapësirë.

Foto:VCG

Foto:VCG

"Raketa ‘Marshimi i Madh-2F’ vazhdon të zhvillohet, proces që ka nisur njëkohësisht me programin e fluturimeve hapësinore me astronautë të Kinës,” theksoi Rong Yi, kryeprojektuesi i raketës “Marshimi i Madh-2F” nga Akademia Kineze e Teknologjisë së Lëshimit të Mjeteve Kozmike në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG).

Si i pari dhe i vetmi lloj rakete kineze për misionet e fluturimeve me astronautë, raketat “Marshimi i Madh-2F” kanë kryer 19 nisje të suksesshme që nga fillimi i vënies në shërbim në vitin 1999. Ato kanë dërguar në hapësirë 15 anije kozmike “Shenzhou”, një anije kozmike objektiv “Tiangong-1”, një laborator kozmik “Tiangong-2” dhe dy anije kozmike eksperimentale të ripërdorshme. Misionet e dhjetë nga 15 anijet kozmike “Shenzhou” kanë qenë me astronautë.

Kina e filloi programin e saj të fluturimeve hapësinore me astronautë më 1992. Raketa “Marshimi i Madh-2F” u vu për herë të parë në përdorim në 20 nëntor 1999, me anijen kozmike “Shenzhou-1”. Në vitin 2003, Kina dërgoi astronautin Jang Liwei në hapësirë dhe ai u kthye i sigurt me anijen kozmike “Shenzhou-5”, misioni i parë me astronaut i Kinës.

Foto:VCG

Astronautë kinezë në stacionin hapësinor të Kinës(Foto:VCG)

Ekipi i kërkimit ka projektuar dy sisteme të veçanta për raketën “Marshimi i Madh-2F”,  që janë sistemi i zbulimit të defekteve dhe kulla e shpëtimit.

Sapo sistemi i zbulimit të defekteve të gjejë ndonjë defekt të madh të raketës, që është duke fluturuar në një lartësi më pak se 39 deri 40 kilometra, kulla e shpëtimit në majë të raketës ndez motorin dhe e tërheqë anijen kozmike larg raketës.

"Ne kemi projektuar procedura të ndryshme për skenarë të ndryshme për të siguruar që astronautët të largohen nga raketa që është duke keqfunksionuar," tha Rong.

Besueshmëria e raketës “Marshimi i Madh-2F” është rritur nga 0.91 në fillim në 0.9895 tani pas tre dekadash zhvillimi, ndërsa siguria e saj ka arritur në 0.99996.

"Ne shqyrtojmë besueshmërinë e raketës pas çdo nisjeje. Përpjekjet lidhur me projektimin, prodhimin dhe testimin për sa i përket rritjes edhe më të vogël të besueshmërisë së raketave, mund të jenë shumë të mëdha," theksoi Rong.

Foto:VCG

Stacioni hapësinor i Kinës Tiangong pas përurimit(Foto:VCG)

Raketa do të përdoret çdo gjashtë muaj për misionet me numrin më të madh të astronautëve lidhur me stacionin kozmik kinez, që është vënë plotësisht në përdorim në fund të vitit 2022