Sondazhi i CGTN-it: 85 % mbështesin konceptin e Kinës për fatet e përbashkëta
2023-01-04 19:23:22

Koncepti i "ndërtimit të një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit" u propozua nga presidenti kinez Xi Jinping më 2013 dhe  mishëron idenë e ndërtimit të një bote të hapur, përfshirëse, të pastër e të bukur me paqe të qëndrueshme, siguri të gjerë dhe begati të përbashkët.

Foto:CGTN

Foto:CGTN

Sipas një sondazhi të fundit të kryer nga Instituti i Studimit të Politikave i CGTN-it dhe Instituti Kinez i Opinionit Publik në Universitetin Renmin, 85 për qind e pjesëmarrësve globalë janë të një mendjeje me konceptin e "ndërtimit të një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit". 84.2 për qind e të rinjve të pyetur nga vendet në zhvillim dhe 79.5 për qind nga vendet e zhvilluara kanë të njëjtin mendim.

Sondazhi u bë në 41 vende dhe rajone, që përfaqësojnë 65.2 për qind të popullsisë së botës. Ai tregon se 94.2 për qind e të pyeturve globalë vlerësuan vlerat e propozuara nga Kina të "paqes, zhvillimit, drejtësisë, barazisë, demokracisë dhe lirisë" për të gjithë njerëzimin.

Ndërkohë, 78.4 për qind e pjesëmarrësve e miratojnë Nismën e Zhvillimit Global të Kinës dhe e shohin zhvillimin si një rrugë kyçe për të përballuar sfidat globale.

Foto:CGTN

Foto:CGTN

Presidenti Xi e parashtroi Nismën e Zhvillimit Global gjatë debatit të përgjithshëm të sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtatorin e vitit 2021. Kjo nismë synon ndërtimin e një bashkësie globale të zhvillimit dhe përshpejtimin e zbatimit të Agjendës 2030 të OKB-së.

Një vit më vonë, Nisma e Zhvillimit Global mori mbështetjen e më shumë se 100 vendeve e organizatave ndërkombëtare. Më shumë se 70 vende i janë bashkuar Grupit të Miqve të kësaj nisme, që ka ndihmuar në rritjen e solidaritetit dhe bashkërendimit ndërmjet vendeve.

Sondazhi tregon gjithashtu se 84.1 për qind e të pyeturve miratuan qëndrimin e Kinës për respektimin e rrugëve të zhvillimit dhe dallimeve të sistemeve të vendeve të ndryshme. Ndërsa 89.6 për qind kërkuan zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare nëpërmjet dialogut dhe konsultimeve.

Ndër të pyeturit, 85.6 për qind janë pro Nismës së Sigurisë Globale, duke menduar se siguria është një parakusht për zhvillimin. Vetëm 4.75 për qind gjykojnë se "çglobalizimi" mund ta bëjë botën më të mirë, sipas sondazhit.

Foto:CGTN

Foto:CGTN

Kina e propozoi Nismën e Sigurisë Globale në Forumin e Boaos për Azinë në prill të vitit 2022, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mbështesë një vizion të sigurisë globale të përbashkët, përfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme. Deri më tani, mbi 70 vende kanë shprehur mbështetjen për nismën.