Rama: Nënave të papuna me 3 apo më shumë fëmijë do t’u paguhen sigurimet për 5 vite
2023-01-03 11:41:20

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Të gjitha nënave të papuna që kanë 3 apo më shumë fëmijë do t’u paguhen sigurimet shëndetësore dhe shoqërore nga shteti për 5 vitet e para të fëmijës. Kjo politikë e re mbështetjeje ka hyrë në fuqi nga 1 janari 2023 dhe do të jetë e vlefshme për të gjitha nënat që kanë 3 fëmijë apo më shumë nën 18 vjeç.

Në një mesazh në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama njofton se për të përfituar nga kjo skemë mbështetëse nënat duhet të aplikojnë në e-Albania, duke shpjeguar përmes një videoje edhe mënyrën e aplikimit.

“Prej 1 janarit nënat me tre e më shumë fëmijë, duke aplikuar në e-Albania, do të përfitojnë nga politika e re e mbështetjes për nënat e papuna me fëmijë nën 18 vjeç, të cilave do t’u garantohen sigurimet shëndetësore dhe shoqërore nga shteti për 5 vitet e para të fëmijës”- shkruan kryeministri Rama.

Qeveria e mori këtë vendim në tetor. Nënave me më shumë se tre fëmijë u njihet si vite pune kujdesi i fëmijës në 5 vitet e para të jetës, me kusht që të ardhurat mujore familjare mos të kalojnë vlerën 100 mijë lekë. (Elona)