Hong-Kongu zgjedh 40 specialistë kandidatë për detyrat hapësinore
2023-01-02 21:11:55

Studentët mësojnë për kostumin hapësinor “Feitian” të demonstruar në Ekspozitën e Teknologjisë Novatore 2022 në Qendrën e Konferencave dhe të Ekspozitave të Hong-Kongut, 12 dhjetor 2022 / CFP

Studentët mësojnë për kostumin hapësinor “Feitian” të demonstruar në Ekspozitën e Teknologjisë Novatore 2022 në Qendrën e Konferencave dhe të Ekspozitave të Hong-Kongut, 12 dhjetor 2022 / CFP

Gjithsej 40 kandidatë nga Rajoni i Posaçëm Administrativ i Hong-Kongut kaluan përzgjedhjen fillestare për specialistë ngarkesash të anijeve kozmike dhe kanë mundësi të marrin pjesë në detyrat e ardhme hapësinore të Kinës, bëri të ditur një zyrtar të dielën.

Sun Dong, sekretari për novacionin, teknologjinë dhe industrinë i qeverisë së Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut, tha gjatë një konference shtypi se qeveria e Hong-Kongut u ka paraqitur kërkesat e kandidatëve të kualifikuar zyrtarëve të pjesës kontinentale dhe do të punojë nga afër me ta në procesin vijues të përzgjedhjes.

Kjo është hera e parë që Kina rekruton kandidatë për specialist ngarkesash të anijeve kozmike në Hong-Kong.

Sun-i tha se 40 kandidatët, 20 meshkuj dhe 20 femra, u përzgjodhën rreptësisht sipas kritereve të përcaktuara nga autoritetet qendrore, duke marrë parasysh faktorë si aftësia fizike, arsimi, përvoja profesionale dhe pasioni i tyre për detyrat hapësinore.

Specialistët e ngarkesave të anijeve kozmike janë kërkues shkencorë, që përgjigjen kryesisht për kryerjen e eksperimenteve kozmike, për funksionimin e pajisjeve laboratorike hapësinore dhe për menaxhimin e funksionimit të përditshëm të stacioneve hapësinore së bashku me astronautë të tjerë. (Wang Lei/ Artan)