Kina thekson nxitjen e shpenzimeve të konsumit në vitin 2023
2023-01-02 21:24:20

Konsumatorët duke blerë në një qendër tregtare në qytetin Tianjin të Kinës Veriore, 31 dhjetor 2022. / “Xinhua”

Konsumatorët duke blerë në një qendër tregtare në qytetin Tianjin të Kinës Veriore, 31 dhjetor 2022. / “Xinhua”

Një zyrtar i lartë nga autoriteti më i lartë i planifikimit ekonomik i Kinës theksoi vënien e shpenzimeve të konsumit në qendër të punës për ringjalljen e kërkesës së brendshme në vitin 2023.

Kina do të forcojë bashkërendimin dhe bashkëpunimin e politikave fiskale, monetare, industriale, teknologjike e shoqërore për nxitjen e rritjes ekonomike, tha të hënën Zhao Chenxin, zv.kryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës.

Ai pohoi se ekonomia kineze hasi vështirësi e sfida më të mëdha sesa parashikohej në situatën e ndërlikuar të brendshme dhe të jashtme gjatë vitit 2022. Megjithatë, rritja ekonomike u stabilizua pas marrjes së masave të ndryshme dhe PBB-ja e vendit pritet t'i kalojë 120 trilionë juanët (17.4 trilionë dollarë amerikanë).

foto nga VCG

Në një qendër tregtare në qytetin Dalian të Kinës Verilindore, më 31 dhjetor 2022/ foto nga VCG

Kina synon të marrë një sërë masash për inkurajimin e shpenzimeve të konsumit. Konkretisht, ajo premton të shtojë të ardhurat e banorëve urbanë e ruralë ndërmjet kanaleve të ndryshme dhe inkurajon qendrat tregtare të përmirësojnë instalimet për tërheqjen e konsumatorëve.

Qeveria tha se do të përkrahë nxitjen e konsumit në sektorë si strehimi, automjetet me energji të reja dhe shërbimet e kujdesit për të moshuarit. Ajo inkurajon gjithashtu më shumë bashkëpunim midis kompanive reale dhe atyre të internetit në ofrimin konsumatorëve të një përvoje më të mirë blerjesh.

Për sa u përket investimeve, Zhao tha se kyçi është nxitja e investimeve shoqërore, duke shfrytëzuar investimet dhe stimujt e qeverisë. Ai theksoi gjithashtu nxitjen e investimeve private dhe përpjekjet më të mëdha në tërheqjen e investimeve të huaja.

“Ekonomia kineze është e qëndrueshme, me potencial të madh dhe plot gjallëri,” tha Zhao. Veprimtaria e përgjithshme ekonomike pritet të rimëkëmbet në vitin 2023 me zbatimin e masave të ndryshme të përkrahjes, shtoi ai. (Wang Lei/ Artan)

foto nga VCG

Pekin, u nis Festivali i Konsumit në distritin Shjingshan në pjesën perëndimore të qytetit, më 1 janar 2023/ foto nga VCG