Udhëheqësit e Kinës dhe të Antigua e Barbudës kremtojnë 40-vjetorin e lidhjeve diplomatike
2023-01-02 11:15:02

Foto: VCG

Presidenti kinez Xi Jinping shkëmbeu të dielën mesazhe urimi me Guvernatorin e Përgjithshëm të Antigua e Barbudës Rodney Williams për 40-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve.

Xi vuri në dukje se Antigua e Barbuda është një vend partner i rëndësishëm i Kinës në rajonin e Karaibeve dhe se marrëdhëniet midis të dy vendeve janë zhvilluar me besim të ndërsjellë dhe bashkëpunim të frytshëm gjatë 40 vjetëve të fundit.

Që nga fillimi i pandemisë, të dy vendet i kanë dhënë njëri-tjetrit mbështetje të çmuar dhe e kanë ndihmuar njëri-tjetrit përballë vështirësive, duke hapur një kapitull të ri të marrëdhënieve dypalëshe, tha ai.

Kina e vlerëson shumë zhvillimin e marrëdhënieve me Antigua e Barbudën dhe është e gatshme ta shfrytëzojë 40-vjetorin e vendosjes së lidhjeve diplomatike si një pikënisje të re, tha Xi. Ai po ashtu shprehu dëshirën për të punuar me Guvernatorin e Përgjithshëm Rodney Williams për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në fusha të ndryshme dhe për të nxitur ndërtimin e “Një brez, një rrugë” me cilësi të lartë, duke krijuar së bashku një të ardhme më të mirë për marrëdhëniet dypalëshe.

Ndërsa Uilliams u shpreh se vendi i tij kremton me kënaqësi 40-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Kinën, çka shënon një moment të rëndësishëm në lidhjet dypalëshe.

Ai theksoi se Antigua e Barbuda mbeten të angazhuara për ruajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve miqësore me Kinën.

Po atë ditë, edhe kryeministri kinez Li Keqiang shkëmbeu mesazhe urimin me kryeministrin e Antigua e Barbudës Gaston Browne.

Li shprehu shpresën që, duke shfrytëzuar 40-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, Kina dhe Antigua e Barbuda do të vazhdojnë t’i çojnë përpara marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit dhe do të sjellin përfitime për të dy popujt.

Browne tha nga ana e tij se marrëdhëniet Kinë-Antigua e Barbuda janë forcuar që kur të dy vendet vendosën lidhjet diplomatike.

Ai shtoi se vendi i tij ndjek politikën e “Një Kine” dhe se Kina i ka dhënë ndihmë bujare Antigua e Barbudës, duke vënë në dukje se në marrëdhëniet dypalëshe ka pasur arritje të shumta. (Artan)