Kina do të shqyrtojë ligjin e padive civile dhe tregtare për të mbrojtur më mirë palët e huaja
2022-12-28 19:24:51

Mbledhja e parë plenare e sesionit të 38-të të Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore u mbajt në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin, Kinë, 27 dhjetor 2022. / “Xinhua”

Ligjvënësit kinezë po diskutojnë një projektamendament të “Kodit të procedurës civile” për të ndihmuar në krijimin e një sistemi gjyqësor të paanshëm, të efektshëm dhe të përshtatshëm për çështjet civile dhe tregtare që përfshijnë elemente të huaja.

Projektamendamenti u paraqit të martën për leximin e parë, në sesionin e 38-të të Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore, organi më i lartë ligjvënës në Kinë.

Sipas kryetarit të Gjykatës së Lartë Popullore Zhou Qiang, ndërsa Kina nxit hapjen e nivelit të lartë, numri i çështjeve civile e tregtare të jashtme që shqyrtohen në gjykatat kineze është rritur shpejt, duke përfshirë më shumë se 100 vende e rajone të mbarë botës.

Foto:VCG

Foto:VCG

Përballë praktikave më të ndërlikuara ligjore brenda dhe jashtë vendit, “Kodi i procedurës civile”, i miratuar nga organi më i lartë ligjvënës i Kinës më 1991 dhe që është rishikuar katër herë, e ka të vështirë të zgjidhë mosmarrëveshjet civile e tregtare të jashtme në mënyrë të drejtë, të efektshme dhe të përshtatshme, duke mbrojtur në të njëjtën kohë sovranitetin, sigurinë dhe interesat kombëtare të zhvillimit. Kështu që është e nevojshme të përmirësohet “Kodi i procedurës civile” për të përmirësuar pozicionin e Kinës në zgjidhjen globale të mosmarrëveshjeve, tha Zhou.

Në fjalimin e mbajtur të martën para Komitetit të Përhershëm, Zhou tha se në projektamendament janë bërë 28 rregullime në  “Kodin e procedurës civile”, duke përfshirë 29 nene, prej të cilave 16 janë shtuar dhe 13 janë ndryshuar. Rishikimet lidhur me çështjet jashtë vendit përfshijnë përmirësimin e mëtejshëm të rregullave të juridiksionit të gjykatave kineze lidhur me çështjet e jashtme civile e tregtare, koordinimin e duhur të konfliktit të juridiksionit, pasurimin e mjeteve të shërbimit të procesit që përfshijnë çështjet e jashtme, shtimin e dispozitave të hetimit jashtëteroritorial dhe përmirësimin e rregullave të njohjes dhe zbatimit të vendimeve të marra nga gjykatat e huaja, bëri të ditur ai.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në Konferencën Qendrore mbi Përparimin e Gjithanshëm të Shtetit Ligjor në nëntor 2020, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës (PKK) propozoi forcimin e sundimit të ligjit të brendshëm dhe të jashtëm në mënyrë të koordinuar, duke paraqitur kërkesa më të larta për punën ligjore për çështje të jashtme. Zhou theksoi se përmirësimi i dispozitave ligjore për çështje të tilla në “Kodin e procedurës civile” do të sigurojë mbrojtje të barabartë për palët e huaja dhe do të krijojë një mjedis biznesi të orientuar nga tregu, të bazuar në ligj dhe të ndërkombëtarizuar, gjë që është me rëndësi vendimtare për interesat e zhvillimit të Kinës.(Artan)