Potencial i madh në bashkëpunimin teknologjik në përpjekjet e gjelbra
2022-12-28 15:26:30

Vitet e fundit Kina dhe BE-ja kanë forcuar bashkëpunimin e tyre në strategjitë afatgjata të reduktimit të emetimeve, tregun e tregtimit të emetimeve, transportin me emetime të ulëta, qytetet me karbon të ulët dhe teknologjinë e pastër të lidhur me klimën. Zyrtarët kinezë thonë se Kina dhe BE-ja duhet të punojnë së bashku për t'u marrë me sfidën e përbashkët të ndryshimit klimaterik duke forcuar bashkëpunimin në dekarbonizimin dhe zhvillimin e gjelbër. Sipas tyre, Kina dhe BE-ja kanë të dhëna shumë të mira në bashkëpunimin në inovacionin e gjelbër dhe teknologjinë e gjelbër.

Një punonjës bën një grup modulesh fotovoltaike diellore për eksport në Evropë në një kompani energjie diellore në qytetin Huzhou, krahinën Zhejiang, në 5 dhjetor.

Një punonjës bën një grup modulesh fotovoltaike diellore për eksport në Evropë në një kompani energjie diellore në qytetin Huzhou, krahinën Zhejiang, në 5 dhjetor./China Daily

Potencial i madh në bashkëpunimin teknologjik në përpjekjet e gjelbra

Kina dhe Bashkimi Europian duhet të punojnë më ngushtë së bashku për ndryshimin e klimës dhe teknologjinë e gjelbër në trajtimin e ndryshimeve klimaterike, thonë ekspertët.

Vitet e fundit Kina dhe BE-ja kanë forcuar bashkëpunimin e tyre në strategjitë afatgjata të reduktimit të emetimeve, tregun e tregtimit të emetimeve, transportin me emetime të ulëta, qytetet me karbon të ulët dhe teknologjinë e pastër të lidhur me klimën.

Zëvendëskryeministri i Kinës, Han Zheng, dhe zëvendëspresidenti ekzekutiv i Komisionit Europian, Frans Timmermans, u takuan për Dialogun e tretë të nivelit të lartë Kinë-BE për Mjedisin dhe Klimën më 8 korrik, një mekanizëm i krijuar më shtator 2020 gjatë samitit të liderëve Kinë-BE.

Gjatë takimit, Han tha se Kina është e gatshme të punojë me BE-në për të forcuar më tej koordinimin e politikave, për të përmirësuar bashkëpunimin e inovacionit teknologjik dhe për të punuar më ngushtë së bashku në përdorimin e energjisë në mënyrë që të kontribuojë në transformimin e gjelbër dhe me karbon të ulët, reagimin dhe mbrojtjen ndaj ndryshimeve klimaterike.

“Ka shumë mundësi që BE-ja dhe Kina të punojnë më ngushtë së bashku”,- tha pas takimit Timmermans, përgjegjës për Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së.

Ish-ministri i Jashtëm holandez përmendi fushat për bashkëpunim në tregjet e karbonit, energjinë e pastër dhe hidrogjenin e gjelbër, reduktimin e emetimeve të metanit, ndalimin e humbjes së biodiversitetit dhe ndalimin e shpyllëzimit dhe degradimit të tokës.

Takimi u mbajt gjashtë ditë përpara përvjetorit të parë të krijimit të sistemit kombëtar të tregtimit të emetimeve të Kinës. BE-ja, e cila nisi Sistemin e Tregtimit të Emetimeve (ETS) në vitin 2005, ofroi ekspertizë teknike në përpjekjen e Kinës.

ETS-ja e Kinës tani është bërë sistemi më i madh i tregtimit të karbonit në botë për nga mbulimi, duke përfshirë më shumë se 2100 kompani në sektorin e energjisë dhe duke përfshirë më shumë se 4.5 miliardë tonë dyoksid karboni në vit, bëhet e ditur nga Ministria e Ekologjisë dhe Mjedisit.

Gao Shiji, drejtor i përgjithshëm dhe studiues në Institutin për Burimet dhe Politikat Mjedisore të Qendrës Kërkimore të Zhvillimit të Këshillit të Shtetit, tha se Kina dhe BE-ja duhet të punojnë së bashku për t'u marrë me sfidën e përbashkët të ndryshimit klimaterik duke forcuar bashkëpunimin në dekarbonizimin dhe zhvillimin e gjelbër.

“Kina dhe BE-ja kanë të dhëna shumë të mira në bashkëpunimin në inovacionin e gjelbër dhe teknologjinë e gjelbër”,- tha ai në forumin Kinë-BE në Bruksel këtë muaj.

Ai përmendi faktin se Kina është bërë prodhuesi, përdoruesi dhe eksportuesi më i madh në botë i produkteve fotovoltaike diellore dhe shumë kompani europiane kanë investuar në prodhimin diellor dhe të erës në Kinë.

“Kjo është një fushë në të cilën ne mund të forcojmë më tej bashkëpunimin tonë, sepse po përballemi me sfidën me të cilën përballen njerëzit në mbarë botën”,- tha Gao.

Vlera e paneleve diellore të eksportuara nga Kina në BE në tetë muajt e parë të këtij viti tejkaloi 16 miliardë dollarë, krahasuar me vetëm 7.2 miliardë dollarë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bëhet e ditur nga të dhënat e Doganës Kineze. Kina përbën rreth 80 për qind të importeve të paneleve diellore të BE-së.

Jacob Werksman, këshilltar kryesor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Europian për Veprimin për Klimën, i bëri jehonë pikëpamjeve të Gaos.

“Më duhet të them se bashkëpunimi dypalësh midis Kinës dhe BE-së ka qenë në fakt shumë i ngushtë për çështjen e ndryshimeve klimaterike. Kjo edhe për faktin sepse ne ndajmë përkushtimin jo vetëm në vendosjen e zotimeve dhe objektivave për veten tonë, por duke treguar se si po zbatojmë politikat e brendshme të nevojshme për zbatimin e këtyre objektivave”,- tha ai.

Duke iu referuar “Fit for 55” të BE-së, një plan për të reduktuar emetimet neto të gazeve serrë me të paktën 55 për qind deri në vitin 2030, ai tha: “Sa më shumë të shikonim se çfarë mund të bënim, aq më shumë zbuluam se mund të bëjmë më shumë. Nga Kina ne presim diçka të ngjashme në paraqitjen e Planit Pesëvjeçar”.

Plani i 14-të Pesëvjeçar i Kinës (2021-2025) vendosi axhendën për tranzicionin e Kinës me karbon të ulët drejt kulmit të emetimeve të karbonit deri në vitin 2030 dhe arritjes së neutralitetit të karbonit deri në vitin 2060.

Bashkëpunimi midis Kinës dhe BE-së ka ndihmuar në uljen e kostos së paneleve diellore, duke i bërë ato të disponueshme në mbarë botën, duke përfshirë vendet në zhvillim, tha Werksman, i cili theksoi se kjo nxit ambiciet e mëtejshme.

Megjithatë, Werksman shprehu shqetësimin se puna e përbashkët në teknologjinë e baterive të makinave elektrike mund të bëhet një çështje më e ndërlikuar duke pasur parasysh se BE po përjeton një krizë të sigurisë së energjisë dhe po bëhet më e kujdesshme për ndërtimin e zinxhirëve të ardhshëm të furnizimit. “Ne duhet të përpiqemi t'i mbajmë tregjet e hapura. Gjithashtu duhet të kemi parasysh se ka interesa të shumëfishta në lojë”.

Kinezja “CATL”, prodhuesi më i madh në botë i baterive të automjeteve elektrike, në provincën Fujian,(Fu xhien)  njoftoi në gusht se planifikon të ndërtojë një fabrikë 7.3 miliardë euro (7.8 miliardë dollarë) në Debrecen, Hungari, për të përmbushur kërkesën në rritje nga prodhuesit globalë të automjeteve motorike. .

“Sfidat e përbashkëta dhe ndryshimet klimaterike janë të dukshme. Secili mund të luftojë në këndin e vet, por është më mirë të bashkojmë forcat dhe të gjejmë zgjidhje të përbashkëta me Kinën”,- tha Bernard Dewit, kryetar i Dhomës së Tregtisë Belgo-Kineze.