Avioni i parë “C919” i Kinës do të kryejë një fluturim verifikimi 100-orësh
2022-12-26 14:40:07

Foto: VCG

“China Eastern Airlines” do të kryejë të hënën një fluturim verifikimi 100-orësh për avionin e vet të parë “C919”.

Kjo kompani ajrore, e para që përdor këtë model aeroplani në botë, e mori zyrtarisht avionin e vet të parë “C919” me numër “B-919A” më 9 dhjetor.

“C919” është avioni i parë i madh i udhëtarëve i ndërtuar në Kinë, i krijuar nga Korporata e Avionëve Komercialë e Kinës. Atij iu dha një certifikatë tipi nga Administrata e Aviacionit Civil e Kinës në shtator.

Për shkak se “C919” është një model i ri, “China Eastern Airlines” do të duhet të kryejë një fluturim provë verifikimi me avion bosh në bazë të marrjes së miratimit fillestar nga Administrata e Aviacionit Civil, për të testuar dhe konfirmuar sigurinë e funksionimit të avionit, besueshmërinë e mirëmbajtjes dhe aftësitë e ndryshme të mbështetjes operacionale.

Pas kësaj, kompania ajrore do të aplikojë në Administratën e Aviacionit Civil për Specifikimet e Funksionimit, për të marrë miratimin përfundimtar për funksionimin komercial të avionit “C919”.

“China Eastern Airlines” tha se ka zgjedhur 24 pilotë me përvojë të pasur dhe aftësi të shkëlqyera si grupi i parë i pilotëve të “C919”.

“C919” i parë pritet të vihet në funksionim komercial për udhëtarët në pranverën e vitit 2023. (Çang Çuo)