Wang Yi: Kina dhe ShBA-ja duhet të menaxhojnë dallimet e të gjejnë rrugët për të përmirësuar marrëdhëniet
2022-12-23 17:36:21

foto: VCG

foto: VCG

Koncepti i lojës ku fituesi i merr të gjitha është shkatërrues për të gjithë dhe Kina e ShBA-ja duhet të gjejnë mënyrën e duhur për të shkuar mirë me njëra-tjetrën, duke bërë përpjekje për mirëqenien e popujve të të dy vendeve dhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në botë. Kështu u shpreh të premten këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi në një bisedë telefonike me sekretarin e Shtetit të ShBA-së Antony Blinken.

 Në bisedën telefonike të zhvilluar me kërkesën e Blinkenit, Wang Yi theksoi se takimi ndërmjet presidentit kinez Xi Jinping dhe homologut të tij amerikan Joe Biden në Bali muajin e kaluar i dërgoi një sinjal pozitiv botës se dy vendet kryesore po dalin nga një kohë e vështirë dhe po kthehen në rrugën e duhur të marrëdhënieve të shëndetshme dhe të qëndrueshme.

Megjithatë, kryediplomati kinez vuri në dukje se ShBA-ja nuk mund të angazhohet në dialog dhe në kontroll në të njëjtën kohë, apo të flasë për bashkëpunim përpara Kinës, por ta godasë atë pas shpine. Kjo nuk është konkurrencë e arsyeshme, por shtypje irracionale; nuk është menaxhim i ndarjeve, por intensifikim i konflikteve, tha Wang. Ai i bëri thirrje ShBA-së t’u kushtojë vëmendje shqetësimeve të ligjshme të Kinës dhe të ndalojë përpjekjet për të penguar zhvillimin e Kinës dhe për të sfiduar vazhdimisht vijat e kuqe të saj.

Wang theksoi se fokusi i të dy vendeve duhet të jetë tani kthimi i konsensusit të arritur nga dy krerët e shteteve në Bali në politika praktike dhe veprime konkrete, duke shtuar se takimi i javës së kaluar midis zyrtarëve nga të dy palët në provincën Hebei të Kinës Verior ishte i thellë dhe konstruktiv. Të dy palët duhet të shtojnë konsultimet mbi parimet drejtuese të marrëdhënieve mes tyre, të çojnë përpara dialogun në të gjitha nivelet e në fusha të ndryshme në mënyrë të rregullt dhe t’i zgjidhin çështjet e veçanta midis të dy vendeve nëpërmjet grupeve të përbashkëta të punës.

Kina thekson rëndësinë e zbatimit të konsensusit të Balit për të zhvilluar marrëdhëniet me ShBA-në.

 Viti i ri sjell shpresa të reja. Wang shprehu shpresën se marrëdhëniet e të dy vendeve do të vazhdojnë të përmirësohen vitin e ardhshëm.

 Nga ana e tij, Blinkeni u shpreh se ShBA-ja është e gatshme të diskutojë parimet drejtuese të marrëdhënieve dypalëshe, t’i menaxhojë këto marrëdhënie në një mënyrë tpërgjegjshme dhe të bashkëpunojë në fusha me interes për të dy palët. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndjekin politikën e “Një Kine” dhe nuk do të mbështetin "pavarësinë e Taivanit".

Sekretari amerikan i Shtetit shtoi se ShBA-ja e vlerëson udhëheqjen dhe kryesimin prej Kinës të mbledhjes së 15-të të Konferencës së Palëve (COP 15) të Konventës për Diversitetin Biologjik, për nxitjen e një kornize ambicioze mbi mbrojtjen e biodiversitetit, dhe ShBA-ja po pret të punojë bashkërisht për të nxitur zbatimin e saj. Në përgjigje, Wang tha se Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të mbrojtur planetin e vetëm të njerëzimit.

 Të dy palët shkëmbyen gjithashtu mendime mbi çështjen e Ukrainës. Wang theksoi se Kina gjithmonë qëndron në anën e paqes dhe do të nxisë bisedimet e paqes së bashku me bashkësinë ndërkombëtare. Kina do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në zgjidhjen e krizës sipas mënyrës së vet, tha ai.