Kina publikon masat për të ndërtuar sisteme bazë për të dhënat
2022-12-21 17:31:03

foto nga VCG

foto nga VCG

Në Kinë u publikua të hënën një dokument zyrtar, ku detajohen masat specifike për të ndërtuar sisteme bazë për të dhënat, për përdorimin më të mirë të burimeve të tyre.  

Sipas dokumentit të publikuar bashkërisht nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës dhe Këshilli i Shtetit, sistemet e vendit për të dhënat do të përfshijnë krijimin e një sistemi pronash, një sistemi qarkullimi dhe tregtimi, një sistemi të shpërndarjes së të ardhurave dhe një sistemi qeverisjeje për t’u përballur me sfidat e reja që dalin me të dhënat si një lloj i ri faktori prodhimi, shkruan “Xinhua”.  

Një zyrtar i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës tha se dokumenti që përfshin 20 masa kryesore shënon një lëvizje historike, gjithëpërfshirëse dhe strategjike për të vijuar thellimin e reformës së Kinës dhe hapjen në epokën e re.  

foto nga CMG

foto nga CMG

Masat do të ndihmojnë në dhënien e plotë të rolit të burimeve të të dhënave, fuqizimin e ekonomisë reale, promovimin e zhvillimit me cilësi të lartë, forcimin, përmirësimin dhe zgjerimin e ekonomisë digjitale. Po ashtu, sipas zyrtarit, masat do t'i përgjigjen revolucionit teknologjik dhe transformimit industrial dhe do të ndërtojnë avantazhe të reja për vendin në konkurrencën ndërkombëtare.  

Për më tepër, masat synojnë të promovojnë ndarjen e dividentëve të zhvillimit të ekonomisë digjitale nga të gjithë, të promovojnë prosperitetin e ndërsjellë, të përmirësojnë efikasitetin e qeverisjes së burimeve të të dhënave dhe të modernizojnë sistemin dhe kapacitetin kombëtar të qeverisjes.  

Provinca Zhejiang në Kinën lindore dhe rajone të tjera, si dhe industritë dhe ndërmarrjet, do të inkurajohen të luajnë rolin e pionierit kur ta lejojnë kushtet.  

Përmirësimi institucional do të ndodhë gradualisht, ndërkohë që do të vendosen standarde kyçe të lidhjeve në fusha kryesore, si përkufizimi i të drejtave pronësore të të dhënave, qarkullimi i të dhënave dhe tregtimi.  

Gjithashtu synohet të bëhen përpjekje eksperimentale për të promovuar qarkullimin dhe përdorimin efikas të të dhënave publike, të të dhënave të ndërmarrjeve dhe të dhënave personale, sipas rregulloreve, për të nxitur zhvillimin e ekonomisë reale. (Elona)