Presidenti kinez zhvillon bisedime telefonike me homologun e Bregut të Fildishtë
2022-12-20 21:24:45

Foto: VCG

Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi të martën pasdite me ftesë bisedime telefonike me presidentin e Bregut të Fildishtë, Alassane Ouattara.

Xi Jinping-u vuri në dukje se Bregu i Fildishtë është një partner i rëndësishëm bashkëpunimi i Kinës në Afrikë. Vitin e ardhshëm do të jetë 40-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Bregut të Fildishtë, gjë që ia vlen të kremtohet nga të dyja palët. Pala kineze e vlerëson shumë që Bregu i Fildishtë zbaton parimin e “Një Kine” dhe është e gatshme që, së bashku me Bregun e Fildishtë, të vazhdojnë të mbështesin njëri-tjetrin në çështjet me interes thelbësor, të konsolidojnë dhe të thellojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe t’i ngrenë ato në një nivel të ri, u shpreh Xi Jinping-u.

Kreu i shtetit kinez theksoi gjithashtu se bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe Bregut të Fildishtë ka perspektiva të gjera. Kina dëshiron që bashkë me Bregun e Fildishtë të forcojë bashkëpunimin e gjithanshëm, të zgjerojë tregtinë e produkteve bujqësore, të shtojë bashkëpunimin në mbjelljen dhe përpunimin e orizit e kakaos dhe ta mbështesë Bregun e Fildishtë të zhvillojë industrinë e kakaos. Ai shprehu shpresën se projektet përkatëse të mbështetura nga Kina do të përfundojnë sa më shpejt dhe do të sjellin përfitime. Kina do të vazhdojë të inkurajojë ndërmarrjet kineze të investojnë në Bregun e Fildishtë dhe të zgjerojë bashkëpunimin dypalësh në ekonominë digjitale, energjinë e re dhe fusha të tjera.

Alassane Ouattara i shprehu përsëri urimet e tij presidentit Xi Jinping për zgjedhjen si Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së. “Vizita ime shtetërore në Kinë në vitin 2018 më ka lënë përshtypje shumë të thella dhe pres me padurim 40-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Bregut të Fildishtë dhe Kinës,” tha ai. Sipas kreut të shtetit të Bregut të Fildishtë, Kina ka dhënë mbështetje të vlefshme dhe kontribute të rëndësishme për ruajtjen dhe promovimin e paqes dhe sigurisë rajonale dhe botërore, dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendeve afrikane, duke përfshirë Bregun e Fildishtë. Ouattara shprehu falënderimet e tij të përzemërta për këtë dhe tha se Bregu i Fildishtë ka miqësi të mirë me popullin kinez, i përmbahet me vendosmëri parimit të “Një Kine”, përkrah fuqishëm multilateralizmin dhe mbështet aktivisht nismën "Një brez, një rrugë". (Çang Çuo)