Kinë: Hidrocentrali 16 GW “Baihetan” nis funksionimin e plotë
2022-12-20 14:44:12

Hidrocentrali gjigant 16 gigavatë (GW) “Baihetan” në Kinë planifikohet të hyjë në funksionim të plotë dhe të prodhojë elektricitet të gjelbër të martën.

Hidrocentrali gjigant 16 gigavatë (GW) “Baihetan” (Foto:VCG)

Ky hidrocentral, me 16 ndër njësitë më të mëdha të prodhimit të energjisë ujore në botë, secila me një kapacitet të instaluar një GW, mund të prodhojë 62 400 gigavat-orë energji elektrike në vit, që mjafton për të siguruar nevojat e konsumit për energji elektrike të rreth 75 milionë banorëve.

Për ndërtimin e digës 289 metra të lartë, e konsideruar si diga më e madhe hidroelektrike për sa i përket vëllimit dhe e dyta më e madhe për sa i përket kapacitetit të instaluar, u përdorën rreth tetë milionë metra kubë çimento me nxehtësi të ulët.

Tre kanale shkarkimi pa presion u ndërtuan me digën për të parandaluar ndonjë përmbytje të jashtëzakonshme, të cilat mund të lëshojnë ujë me një shpejtësi 47 metra në sekondë.

Tre vepra të tjera përgjatë rrjedhës së poshtme të lumit Jinsha - hidrocentralet “Xiluodu”, “Wudongde” dhe “Xiangjiaba”, me kapacitet përkatësisht 13.86 GW, 10.2 GW, 6.4 GW - e çojnë kapacitetin e përgjithshëm në më shumë se dyfishin e kapacitetit të Digës së Tre Grykave.

Foto:VCG

Foto:VCG

Së bashku me 22.5 GW të Digës së Tre Grykave, Kina ka ndërtuar në lumin Jance korridorin më të madh të energjisë së re në botë.

Energjia e pastër e prodhuar nga hidrocentrali “Baihetan” mund të kursejë deri në 19.68 milionë tonë qymyr standard, duke pakësuar lëshimet e dioksidit të karbonit me 51.6 milionë tonë.

“Baihetan” ka prodhuar mbi 53 miliardë kWh elektricitet që nga ndërtimi i dy njësive të para në qershor 2021, sipas Grupit Mediatik të Kinës (CMG).

“Baihetan” është gjithashtu pjesë e projektit "Furnizim i Lindjes me energji nga Perëndimi", që synon transmetimin e energjisë elektrike nga Perëndimi i Kinës i pasur me burime, në rajonet që kanë nevojë për energji në Kinën Lindore.

Foto:VCG

Foto:VCG

Dy linja transmetimi të rrymës së drejtpërdrejtë me tension ultra të lartë (UHVDC) do të dërgojnë elektricitet në provincat Jiangsu dhe Zhejiang, dy zona kryesore e Deltës së Lumit Jance, me bujqësi dhe prodhim industrial të zhvilluar.(Artan)