Zyrtari: Ekonomia kineze do të rritet në vitin 2023
2022-12-19 21:51:00

Muzg në qytetin Shenzhen të Kinës. /CFP

Ndërsa rritja globale ka gjasa të dobësohet ndjeshëm vitin e ardhshëm, ekonomia kineze pritet të mëkëmbet dhe të përmirësohet, tha një zyrtar i lartë sipas “Xinhua News”.

Zyrtari i Zyrës për Çështjet Ekonomike dhe Financiare të Komitetit Qendror të PKK-së i bëri komentet pas Konferencës Qendrore të Punës Ekonomike javën e kaluar.

Perspektivat e mira për vitin e ardhshëm mund të vijnë nga reagimi i optimizuar ndaj epidemisë, politikat efektive pro rritjes dhe baza e ulët e këtij viti.

Përmirësimi i reagimit të Kinës ndaj COVID-19 do të ushtrojë një ndikim të madh pozitiv mbi ekonominë, tha zyrtari, duke parashikuar një rimëkëmbje më të shpejtë në gjysmën e parë të vitit 2023, veçanërisht në tremujorin e dytë.

Kina do të mbajë politikat ekzistuese për rritjen e kërkesës dhe nxitjen e përmirësimit strukturor vitin e ardhshëm dhe do të marrë masa të reja në përputhje me nevojat, shtoi ai.

Megjithëse ekonomia kineze ndeshet me sfida të shumta brenda dhe jashtë vendit, bazat e saj të forta mbeten të pandryshuara, me qëndrueshmëri të fortë, potencial të madh dhe gjallëri të spikatur.

Zyrtari përmendi mbështetjen politike në fushat fiskale, monetare, industriale, shkencore, teknologjike e shoqërore për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike vitin e ardhshëm.

Kina do ta forcojë politikën e vet proaktive fiskale me efektshmëri të përmirësuar dhe do ta bëjë politikën e saj të kujdesshme monetare më të shënjestruar e më të efektshme, duke forcuar mbështetjen ndaj mikrobizneseve e bizneseve të vogla, inovacionit teknologjik dhe zhvillimit të gjelbër.

Bashkërendimi më i mirë i politikave të ndryshme do të nxitë zhvillimin me cilësi të lartë, vuri në dukje zyrtari. (Artan)