Presidenti i COP15, optimist për përparimin në konferencën e OKB-së për biodiversitetin
2022-12-19 12:33:25

Foto: VCG

“Ne kemi ndërmarrë hapa të fortë drejt suksesit”,- deklaroi Huang Runqiu, president i COP15 dhe ministër i Ekologjisë dhe Mjedisit i Kinës, pas përfundimit të negociatave në nivel ministror në konferencë e OKB-së për biodiversitetin, njofton “Xinhua”.

COP15, i njohur zyrtarisht si takimi i 15-të i Konferencës së Palëve në Konventën e OKB-së për Diversitetin Biologjik, pritet të miratojë kuadrin global të biodiversitetit pas vitit 2020.

Takimi ministror luajti një rol shumë të rëndësishëm në promovimin e procesit të negociatave të COP15, tha Huang. Sipas tij, ministrat kanë shprehur një vullnet të fortë politik për të rikthyer humbjen globale të biodiversitetit dhe pranoi se konferenca është dritarja e fundit e mundësisë për të bërë këtë ndryshim.

“Ne duhet të garojmë me kohën, të përballemi me shkaqet e humbjes së biodiversitetit dhe të marrim masa reformuese në prodhim, konsum dhe tregti. Ne duhet gjithashtu të krijojmë metoda shkencore për të matur kostot natyrore të aktiviteteve ekonomike, të mobilizojmë sa më shumë burime të jetë e mundur dhe të krijojmë mekanizma zbatimi dhe plane kombëtare veprimi për të funksionuar një kuadër ambicioz dhe realist”,- tha Huang.

Ministrat nga vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim kanë ndihmuar grupet e punës për të arritur përparim në bisedimet për çështje të vështira, duke përfshirë mobilizimin e burimeve dhe Informacionin e Sekuencës Digjitale, të njohur si DSI, tha Huang. Ai theksoi se do të hartohet një tekst presidencial bazuar në konsensusin e gjerë të arritur gjatë takimit.

“Kina do të vazhdojë të luajë rolin e saj ndërsa mban presidencën e COP15 për të ndihmuar në formimin e sinergjisë nga të gjitha palët, mbylljen e boshllëqeve dhe ndërtimin e konsensusit për të arritur një kornizë ambicioze, realiste dhe të ekuilibruar që komuniteti ndërkombëtar ka pritur”,- shtoi ai. (Fatosi)