Foto nga VCG
Qëllimi ambicioz i Kinës për restaurimin e dhjetë milionë hektarë të ekosistemeve jetike, duke përfshirë pyjet, kullotat dhe rrugët ujore, ishte ndër dhjetë projektet kryesore globale që u njohën të martën nga Kombet e Bashkuara për ndihmën e shëndetit planetar, bën të ditur “Xinhua”.
Nisma Shan-Shui, e cila përkthehet në “male dhe lumenj”, u njoh si Flamurtare e Restaurimit Botëror në Konferencën e 15-të të Palëve (COP 15) në takimin e Konventës së OKB-së për Diversitetin Biologjik që po zhvillohet në Montreal, Kanada.
Zbatimi i iniciativës Shan-Shui do të rigjallërojë shëndetin e ekosistemeve në Kinë, përveçse do të krijojë më shumë se 3.2 milionë vende pune në sektorë të ndryshëm si turizmi dhe prodhimi i verës, thuhet në një deklaratë nga OKB.
Rreth 70 milionë familje, ekuivalente me 200 milionë njerëz, do të përfitojnë nga iniciativa.
Drejtoresha Ekzekutive e Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, Inger Anderson, tha se projektet që synojnë të rivendosin ekosistemet e degraduara do të transformojnë jetesën, duke trajtuar krizën e trefishtë planetare të ndryshimit të klimës, humbjes së habitatit dhe ndotjes.
Anderson tha se nisma Shan-Shui demonstron përfitimet e jashtëzakonshme ekonomike që vijnë kur njerëzimi jeton në harmoni me natyrën.
Sipas OKB-së, Kina synon të përfundojë 50 projekte që shtrihen në 700 qarqe duke u fokusuar në mbrojtjen në shkallë të gjerë dhe restaurimin e ekosistemeve jetike midis vitit 2021 dhe 2030 nën nismën Shan-Shui. (Elona)