BE dështon të arrijë konsensusin mbi çmimin e gazit natyror
2022-12-15 19:09:37

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Takimi i ministrave të Energjisë të Bashkimit Evropian në Bruksel dështoi të arrinte një marrëveshje përfundimtare për një tavan të çmimeve të gazit natyror në mbarë bllokun, pas muajsh debati midis vendeve nëse masa mund të lehtësojë krizën energjetike të Evropës, shkruan “CGTN”.  

Duke iu përgjigjur kërkesave të përsëritura nga disa vende anëtare, Komisioni Evropian propozoi në nëntor një kufizim të çmimit të gazit, si reagimi më i fundit i BE-së ndaj rritjeve të çmimeve të energjisë në muajt e fundit.  

Por me vendet ende të ndara mbi detajet e kufirit, takimi nuk dha një vendim përfundimtar, duke i lënë ministrat e Energjisë të BE-së të përpiqen përsëri për një marrëveshje në një takim tjetër më 19 dhjetor.  

“Kemi bërë përparim, por nuk kemi mbaruar ende. Jo të gjitha pyetjet mund të marrin përgjigje”,- tha ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck, pas takimit.  

Ministri çek i Industrisë, Jozef Sikela, i cili kryesoi takimin, tha se kishte një ndjenjë të mirë që javën e ardhshme vendet mund të bien dakord për nivelin e çmimeve, që ai tha se ishte e vetmja çështje ende e pazgjidhur.  “Mendoj se jemi pothuajse afër, por tani duhet të mblidhemi dhe të tregojmë se uniteti nuk është një fjalë boshe”,- tha ai në një konferencë shtypi, duke shtuar se vendet kishin rënë dakord për detaje të tjera.  

Gjermania, Austria dhe Holanda kanë paralajmëruar kundër një kufiri të çmimit të gazit, duke pasur shqetësimin se mund të devijojë ngarkesat e nevojshme të gazit nga Evropa dhe të prishë funksionimin e tregjeve të energjisë.  

Shtete të tjera, duke përfshirë Greqinë, Belgjikën, Italinë dhe Poloninë, kanë kërkuar një kufi, që sipas tyre do të mbronte ekonomitë e tyre nga çmimet e larta të energjisë. (Elona)