Kina padit ShBA-në në OBT për kontrollin e eksportit të mikroçipave
2022-12-13 18:49:37

Foto: VCG

Kina i paditi të hënën Shtetet e Bashkuara nëpërmjet mekanizmit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) lidhur me kontrollin ndaj eksportit të mikroçipave.

Shtetet e Bashkuara miratuan një projektligj për financimin masiv të mikroçipave në korrik, sipas të cilit do të jepen 52.7 miliardë dollarë për prodhimin e mikroçipave brenda vendit. Projektligji synon të kufizojë zhvillimin e industrisë së gjysmëpërçuesve të Kinës nëpërmjet subvencioneve dhe ndalimeve në bazë të së ashtuquajturës "siguri kombëtare".

"ShBA-ja e ka përgjithësuar vazhdimisht konceptin e sigurisë kombëtare në vitet e fundit, ka abuzuar me masat e kontrollit të eksportit dhe ka penguar tregtinë normale ndërkombëtare të mikroçipave dhe prodhimeve të tjera,” tha një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë të Kinës.

Paraqitja nga Kina e një padie në OBT ka për qëllim të mbrojë të drejtat dhe interesat e saj të ligjshme nëpërmjet mjeteve ligjore, shtoi zëdhënësi.

Gjysmëpërçuesit janë prodhimi i katërt më i tregtuar në botë, pas naftës së papërpunuar, naftës së rafinuar dhe makinave, sipas Grupit Konsultues të Bostonit. Zinxhiri i furnizimit i tyre është shumë global, me ndërmarrjet kineze dhe amerikane thellësisht të integruara.

Kina shpreson që ShBA-ja do të braktisë mendësinë e saj të lojës ku fituesi i merr të gjitha dhe do të ndalojë pengimin e tregtisë së prodhimeve të teknologjisë së lartë, duke përfshirë mikroçipat, shton deklarata.

Ndërkohë, javën e kaluar OBT-ja vendosi që tarifat e ShBA-së të vitit 2018 mbi importet e çelikut dhe aluminit shkelin rregullat e tregtisë globale.

Në mars 2018, presidenti i atëhershëm amerikan Donald Trump vendosi 25 për qind tarifa mbi importet e çelikut dhe 10 për qind mbi importet e aluminit, për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare. Shumë vende, duke përfshirë Kinën, paraqitën ankesa në OBT lidhur me vendimin.

"Kina e përshëndet vendimin objektiv dhe të drejtë nga një panel ekspertësh të OBT-së," tha të shtunën një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë të Kinës. "Faktet kanë provuar se klauzola e përjashtimit të sigurisë e OBT-së nuk është një strehë e sigurt për unilateralizmin dhe proteksionizmin."