Palestina kritikon presionin e SHBA-së ndaj OKB-së
2022-12-13 15:04:31

 Foto:VCG

Konflikt në Bregun Perëndimor(Foto:VCG)

Palestina kritikoi lëvizjen e SHBA-së për t'i bërë presion Kombeve të Bashkuara që mos të përditësojnë listën e kompanive që operojnë në vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara palestineze, shkruan “CGTN”.

Ministri i Jashtëm palestinez Riyad Al-Maliki deklaroi për “Zërin e Palestinës” se udhëheqja palestineze kundërshton çdo presion të SHBA-së mbi OKB-në dhe institucionet e saj operative.

Ai shtoi se ministria e tij po punon për të organizuar një takim me Komisionerin e Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk.

Deklarata e tij erdhi pasi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel, tha të premten se SHBA vazhdon të kundërshtojë çdo veprim për përditësimin e listës dhe ka ngritur shqetësime drejtpërdrejt me Zyrën e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut.

Në shkurt 2020, Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut publikoi një listë të kompanive që operojnë në vendbanimet izraelite. Lista përfshin 112 kompani, duke përfshirë kompanitë izraelite dhe amerikane.

Izraeli mori kontrollin e Bregut Perëndimor pas luftës së vitit 1967 dhe krijoi dhjetëra vendbanime në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor, të cilat konsiderohen si shkelje e ligjit ndërkombëtar.

Rezoluta 2334 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila u miratua në vitin 2016, i konsideroi këto vendbanime izraelite të paligjshme dhe kërkoi një fund të menjëhershëm të tyre në territoret palestineze. (Fatosi)