Kryediplomati: Udhëtimi i Xi Jinping-ut në Lindjen e Mesme hap një epokë të re në marrëdhëniet kino-arabe
2022-12-12 11:49:49

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Udhëtimi i presidentit kinez Xi Jinping në Lindjen e Mesme nga e mërkura deri të shtunën ka hapur një epokë të re të zhvillimit të thellë dhe të gjithanshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kinës dhe shteteve arabe, Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) e Arabisë Saudite, tha për mediat të shtunën këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi.

Xi jo vetëm mori pjesë në Samitin e 1-rë Kinë-Shtetet Arabe dhe Samitin Kinë-GCC në Arabinë Saudite, por gjithashtu bëri një vizitë shtetërore dhe zhvilloi takime dypalëshe me afro 20 liderë arabë, tha Wang. Ai e përshkroi udhëtimin e kreut të shtetit kinez në Lindjen e Mesme si veprimtarinë diplomatike më të madhe dhe të nivelit më të lartë të Kinës me botën arabe që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës.

Wang Yi e quajti udhëtimin e Xi Jinping-ut në Lindjen e Mesme një tjetër sipërmarrje të madhe pioniere të diplomacisë kineze dhe tha se ajo tregoi zgjedhjen strategjike të Kinës dhe vendeve arabe për të forcuar solidaritetin dhe bashkërendimin përballë sfidave globale.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Xi mbajti një fjalim të rëndësishëm në Samitin e 1-rë Kinë-Shtetet Arabe, në të cilin ai i hodhi një vështrim historisë mijëravjeçare të shkëmbimeve miqësore dypalëshe.

Presidenti kinez bëri thirrje që Kina dhe vendet arabe të krijojnë një bashkësi më të afërt me një të ardhme të përbashkët kino-arabe, duke qëndruar të pavarur dhe duke mbrojtur interesat e përbashkët të të dyja palëve, duke u fokusuar në zhvillimin ekonomik dhe duke promovuar bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella, duke mbështetur paqen rajonale dhe duke u përpjekur për sigurinë e përbashkët, si edhe duke thelluar shkëmbimet ndërmjet qytetërimeve për të rritur mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë.

Liderët që morën pjesë në samit thanë se marrëdhëniet miqësore ndërmjet vendeve arabe dhe Kinës mbështeten në respektin e ndërsjellë, bashkëpunimin e barabartë dhe përfitimet e përbashkëta.

Bota arabe u kushton vëmendje të madhe arritjeve të zhvillimit të Kinës dhe rolit të saj të rëndësishëm në botë. Thellimi i partneritetit strategjik arabo-kinez nxit arritjen e drejtësisë ndërkombëtare, ruajtjen e paqes dhe zhvillimit botëror dhe realizimin e aspiratave të përbashkëta të popujve të të dy palëve, vuri në dukje Wang.

Kina dhe shtetet arabe publikuan së bashku Deklaratën e Riadit të Samitit të 1-rë Kinë-Shtetet Arabe, në të cilën të dyja palët pranojnë të bëjnë përpjekje të gjithanshme për të ndërtuar një bashkësi me një të ardhme të përbashkët kino-arabe në epokën e re.

Samiti Kinë-GCC shënon herën e parë që liderët e Kinës dhe shteteve të GCC takohen. Wang bëri të ditur se fjalimi i Xi Jinping-ut shtjelloi me hollësi se si mund të krijohet partneriteti strategjik Kinë-GCC nga katër aspekte: uniteti, zhvillimi, siguria dhe qytetërimi.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Xi theksoi se të dy palët duhet të jenë partnere për solidaritet më të madh, zhvillim e siguri të përbashkët dhe përparim kulturor, dhe parashtroi pesë fusha me përparësi për bashkëpunimin Kinë-GCC në tre deri në pesë vjetët e ardhshëm.

Gjatë takimeve të tij me mbretin Salman bin Abdulaziz Al Saud dhe princin saudit të kurorës Mohammed bin Salman Al Saud, Xi vuri në dukje se Kina e trajton zhvillimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite si një përparësi në marrëdhëniet e saj të jashtme, veçanërisht në diplomacinë e saj në Lindjen e Mesme, dhe nxit përparimin më të madh të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-Arabi Saudite, theksoi kryediplomati kinez.

Wang vuri në dukje më tej se Xi promovoi në mënyrë aktive frymën e Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës, shtjelloi rrugën kineze drejt modernizimit dhe objektivat e politikës së jashtme kineze dhe nënvizoi se Kina do të ndjekë me vendosmëri një strategji të hapjes me  dobi të ndërsjellë, duke krijuar mundësi të reja për shtetet arabe dhe tërë vendet e tjera me zhvillimin e vet të ri.

Udhëheqësit arabë ritheksuan qëndrimin e vendosur të vendeve të tyre ndaj parimit të “Një Kine” dhe mbështetjen e palëkundur për Kinën në mbrojtjen e interesave të saj thelbësore, vuri në dukje Wang.