Kina vazhdon të investojë në markat vendase
2022-12-11 16:00:23

Kina do të rrisë vazhdimisht konkurrencën e markave vendase dhe do t'i promovojë ato në marka të famshme botërore, pasi më shumë marka kineze po bëhen globale, thanë zyrtarë qeveritarë dhe liderë të industrisë gjatë Forumit të Markave të Kinës 2022 të organizuar nga “People's Daily” në Pekin.

Një grup përfaqësuesish nga ministritë, ndërmarrjet shtetërore dhe private morën pjesë në forum. Drejtuesit kryesorë folën për mënyrën se si kompanitë e tyre kanë promovuar zhvillim me cilësi të lartë dhe forcuar ndërtimin e markës, bën të ditur "China Daily".

Në vitet e fundit, ndikimi i markave kineze është rritur në mënyrë të vazhdueshme dhe ato po luajnë një rol gjithnjë e më udhëheqës në promovimin e përmirësimit të strukturës së ofertës dhe kërkesës. Kina ka vazhduar të përmirësojë sistemet standarde të markës dhe të promovojë zhvillimin inovativ të markave, sipas Ministrisë së Tregtisë.

“Ne kemi promovuar markat kombëtare dhe kemi mbajtur një numër ekspozitash për të ndihmuar në nxitjen e rritjes së konsumit. Ministria ka promovuar ndërtimin e pesë qyteteve vendase si qendra ndërkombëtare të konsumit për të stimuluar më tej potencialin e konsumit dhe inkurajuar markat premium kineze për të investuar jashtë shtetit”,- tha përmes lidhjes video Sheng Qiuping, zëvendësministri i Tregtisë i Kinës.

Drejtues të lartë nga sipërmarrjet e mëdha kineze të sektorëve të ndryshëm demonstruan arritjet e tyre gjatë forumit. Këto kompani përfshijnë “State Grid”,

“Agricultural Bank of China”, “China National Nuclear Corp” dhe “Kweichow Moutai”. (Irma)