Kina dhe Arabia Saudite janë partnerë strategjikë dhe miq të sinqertë
2022-12-10 17:27:08

Krerët e dy vendeve nënshkruan “Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse të Partneritetit Strategjik” mes Republikës Popullore të Kinës dhe Arabisë Saudite, ku të dy palët ranë dakord për të ngritur nivelin e përfaqësuesve në rang kryeministrash në Komitetin e Përbashkët të Nivelit të Lartë Kinë-Arabi Saudite. Po ashtu Kina ra dakord për të listuar Arabinë Saudite si një destinacion për qytetarët kinezë që udhëtojnë në grupe turistike. Ndërsa pala saudite premtoi të mirëpresë më shumë ndërmarrje kineze në procesin e industrializimit të Arabisë Saudite.

Më 8 dhjetor, presidenti kinez Xi Jinping u takua me Mbretin e Arabisë Saudite Salman bin Abdul Aziz Al Saud në Riad dhe zhvilloi bisedime me Princin e Kurorës dhe kryeministrin e Arabisë Saudite, Muhammad bin Salman bin Abdel Aziz Al Saud. Kryeredaktori  i gazetës “Al Riyadh”, Hani Wafa vlerësoi se "kjo vizitë do të nxitë bashkëpunimin mes Arabisë Saudite dhe Kinës në fusha të ndryshme, duke krijuar një perspektivë më të ndritshme në marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve."

Nën epideminë e COVID-19, edhe gjatë 2021-it vëllimi dypalësh ekonomiko-tregtar mes Kinës dhe Arabisë Saudite vazhdoi të rritej me 30 për qind nga viti në vit, duke treguar qëndrueshmërinë e bashkëpunimit dypalësh.  Gjatë bisedimeve me Princin e Kurorës dhe kryeministrin e Arabisë Saudite Muhammad bin Salman bin Abdel Aziz Al Saud, presidenti kinez Xi shprehu mbështetjen e Kinës për "Vizionin 2030” të Arabisë Saudite si dhe një sërë iniciativash të mëdha zhvillimore si “Lindja e Mesme e Gjelbër" dhe projekte të tjera. Sipas presidentit Xi, të dy palët duhet të vënë në zbatim lidhjen mes nismës "Një brez, një rrugë" të Kinës dhe "Vizionin 2030" të Arabisë Saudite. "Vizioni 2030" i Arabisë Saudite është një plan i madh dhe ambicioz, me qëllim që Arabia Saudite të shkëputet gradualisht nga varësia e saj ndaj naftës dhe për t’u shndërruar në zemrën e botës arabe, një qendër e investimeve globale që lidh tre kontinentet e Azisë, Evropës dhe Afrikës. Për të arritur këtë synim, Arabisë Saudite i nevojiten shumë ndërtime infrastrukturore dhe zhvillim i industrive jotradicionale të energjisë, të cilat kanë shumë të përbashkëta me nismën "Një brez, një rrugë".

Aktualisht të dy palët kanë shumë projekte bashkëpunimi si kompania e rafinimit "Yanbu Aramco Sinopec" dhe projekti kompleks "Etileni Sino-Saudi Gulei", grupi industrial kinez në qytetin ekonomik Jazan dhe projekti i pajisjeve të infrastrukturës publike të Detit të Krimsonit. Gjatë vizitës, presidenti Xi theksoi nevojën për të zgjeruar bashkëpunimin në fushat e tregtisë elektronike, ekonomisë digjitale, energjisë së pastër, teknologjisë së lartë, studimeve të fluturimeve në hapësirë etj. (Xu Guang)