Presidenti kinez Xi Jinping takohet me presidentin e Mauritanisë
2022-12-09 22:46:24

Presidenti kinez Xi Jinping u takua në mëngjesin e së premtes me presidentin e Mauritanisë Mohamed Ould Cheikh El Ghazouan.

Foto: CGTN

Foto: CGTN

Presidenti kinez vuri në dukje se Kina dhe Mauritania kanë një miqësi të thellë tradicionale. Vitet e fundit, marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve kanë ruajtur në zhvillim të shëndetshëm e të qëndrueshëm, me një besim politik të ndërsjellë solid. Të dy vendet kanë zhvilluar bashkëpunim të thellë praktik e shkëmbime të ngushta njerëzore. Kina mbështet me vendosmëri Mauritaninë në ndjekjen e një rruge zhvillimi që përshtatet me kushtet e veta kombëtare dhe kundërshton ndërhyrjen e forcave të jashtme në punët e brendshme të Mauritanisë. Pala kienze vlerëson mbështetjen e qartë të Mauritanisë për Kinën në çështjet lidhur me Tajvanin, Hong-Kongun, Xinjiang-un, të drejtat e njeriut etj. dhe është e gatshme të punojë me Mauritaninë për t’i ngritur marrëdhëniet e bashkëpunimit miqësor dypalësh në një nivel më të lartë.

Xi Jinping-u theksoi se vitet e fundit, pala kineze e ka ndihmuar palën mauritaniane në zbatimin e projekteve me përfitime për jetën e njerëzve, si rrugë, ura, spitale dhe vepra të tjera të mëdha. Kina do të vijojë të inkurajojë ndërmarrjet kineze që të marrin pjesë në mënyrë aktive në energjetikë, peshkim, miniera, infrastrukturë dhe fusha të tjera për të sjellë përfitime për popullin mauritanian.

Presidenti i Mauritanisë Mohamed Ould Cheikh El Ghazouan u shpreh se marrëdhëniet e vendit të tij me Kinën kanë pasur një zhvillim të mbarë dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme ka arritur rezultate pozitive. Pala mauritaniane i është përmbajtur gjithmonë me vendosmëri politikës së “një Kine” dhe do të vazhdojë të mbështesë pozicionin e Kinës mbi çështjet e të drejtave të njeriut, duke kundërshtuar me vendosmëri ndërhyrjen e çdo force të huaj në punët e brendshme të Kinës në emër të të drejtave të njeriut. Mauritania e falënderon Kinën për ndihmën afatgjatë, tha El Ghazouan, duke shtuar që shumë objekte dhe projekte të rëndësishme me ndihmë nga Kina, duke përfshirë edhe ekipet mjekësore, kanë sjellë përfitime për jetën e popullit mauritanian dhe kanë nxitur zhvillimin ekonomik dhe social vendor. Mauritania është e gatshme të ruajë komunikimin e nivelit të lartë me Kinën, të mësojë nga përvoja e suksesshme e Kinës në qeverisjen e vendit dhe të zgjerojë e thellojë bashkëpunimin në fusha të ndryshme. (Li Huailiang/Artan)