Udhëheqja e Kinës, simpozium për kërkimin e këshillave mbi punën ekonomike
2022-12-08 21:39:43

foto: VCG

foto: VCG

Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës (PKK) mbajti më 2 dhjetor një simpozium me persona jo anëtarë të PKK-së për të kërkuar opinione dhe sugjerime mbi gjendjen ekonomike të këtij viti dhe punën ekonomike për vitin e ardhshëm.

Xi Jinping, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së, e kryesoi simpoziumin dhe mbajti një fjalim të rëndësishëm në të.

Ai tha se 2023-shi është viti i fillimit të zbatimit të plotë të parimeve udhëzuese të Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së dhe se puna ekonomike duhet të ndjekë parimin e përgjithshëm që stabiliteti ekonomik të jetë përparësi kryesore dhe të synojë përparimin duke siguruar stabilitetin.

Duhet të bëhen përpjekje për të koordinuar më mirë reagimin epidemik me zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe zhvillimin me sigurinë, u shpreh Xi.

Ai theksoi se do të vazhdojnë politikat proaktive fiskale dhe politikat e kujdesshme monetare.

Politikat në sfera të ndryshme do të bashkërendohen më mirë dhe duhen bërë përpjekje për të shtuar besimin e tregut, kurse strategjia e zgjerimit të kërkesës së brendshme duhet të integrohet me thellimin e reformës strukturore nga ana e ofertës, për të nxitur një përmirësim të gjithanshëm të ekonomisë, vuri në dukje Xi.

Kryetarët e komiteteve qendrore të tetë partive jokomuniste, kryetari i Federatës Mbarëkineze të Industrisë dhe Tregtisë dhe një përfaqësues i personave pa parti mbajtën fjalime. Ata ranë dakord me analizën e Komitetit Qendror të PKK-së mbi gjendjen ekonomike të tanishme dhe vlerësimet e tij për punën ekonomike vitin e ardhshëm.

Ata dhanë gjithashtu sugjerime mbi çështje si zhvillimi i koordinuar i pellgjeve të lumit Jance dhe Lumit të Verdhë, nxitja e rritjes me lëshim të ulët karboni, inkurajimi i investimeve private, përmirësimi i rregullores së taksave për ekonominë e platformave në internet, sigurimi i punësimit me cilësi të lartë dhe thellimi i zhvillimit të integruar në të dy brigjet e ngushticës së Tajvanit.

Këto sugjerime do të studiohen dhe përfshihen me kujdes, tha Xi. 

Duke vënë në dukje se Kina këtë vit është ndeshur me një mjedis ndërkombëtar sfidues dhe me detyra të vështira të brendshme për të kryer reforma dhe për të siguruar zhvillimin e stabilitetin, Xi tha se këto vështirësi janë përballuar, është forcuar rregullimi në nivel makro dhe është ruajtur qëndrueshmëria e përgjithshme ekonomiko-shoqërore.

Pesë vjetët e fundit ishin të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për Kinën, pasi ajo përballoi prova të shumta dhe, veçanërisht, iu përgjigj efektivisht përpjekjeve të "shkëputjes" të disa vendeve në fushat ekonomike e teknologjike, vuri në dukje Xi.

Sipas tij, gjatë pesë vjetëve, Kina i ka mbajtur zinxhirët e industrisë dhe të furnizimit në thelb të qëndrueshëm, ka ruajtur stabilitetin e përgjithshëm të ekonomisë së saj dhe ka mbrojtur efektivisht jetën dhe shëndetin e njerëzve. Ekonomia kineze u rrit me një normë mesatare vjetore mbi 5 për qind gjatë kësaj periudhe, më shumë se mesatarja globale.

Duke bërë një përmbledhje të dekadës së epokës së re, Xi tha se ajo ishte një periudhë kur zhvillimi ekonomik dhe shoqëror i Kinës pati arritje historike e përjetoi ndryshime historike, duke hyrë në rrugën e zhvillimit me cilësi të lartë.

Xi e vlerësoi kontributin e rëndësishëm që kanë dhënë partitë e tjera politike, Federata Mbarëkineze e Industrisë dhe Tregtisë dhe personat pa parti me vendimmarrjen e Komitetit Qendror të PKK-së.

Ai shprehu shpresën se personat që nuk janë anëtarë të PKK-së do të studiojnë dhe zbatojnë plotësisht parimet udhëzuese të Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së, do të veprojnë në përputhje me vijën e Komitetit Qendror të PKK-së, do të mbeten besnikë ndaj aspiratës origjinale për bashkëpunim dhe do të trashëgojnë traditat e mira. (Artan)