Studimi: Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar goditet rëndë nga “Brexit”
2022-12-07 15:56:12

Mbreteria e Bashkuar (Foto China Daily)

Mbreteria e Bashkuar (Foto China Daily)

Ekspertët besojnë se ndikimi negativ i “Brexit” tashmë është bërë më i dukshëm në Mbretërinë e Bashkuar, pasi fillimisht u maskua nga pandemia e Covid-19.

Në analizën e saj të fundit të perspektivës ekonomike dhe fiskale, Zyra për Përgjegjësi Buxhetore bëri të ditur se intensiteti tregtar i Mbretërisë së Bashkuar do të jetë 15 për qind më i ulët në afat të gjatë sesa do të ishte nëse Mbretëria e Bashkuar do të kishte mbetur në Bashkimin Europian, citon “China Daily”. Intensiteti i tregtisë mat integrimin e një ekonomie me ekonominë botërore.

Hulumtimi i ri nga “London School of Economics” zbuloi se largimi nga BE u kishte kushtuar konsumatorëve në Mbretërinë e Bashkuar një total prej 7.11 miliardë dollarë gjatë dy viteve deri në fund të 2021-shit.

Përveç Rusisë, Britania e Madhe pritet të ketë performancën më të keqe midis ekonomive kryesore të botës në dy vitet e ardhshme, sipas analizës më të fundit të perspektivës ekonomike nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Organizata me bazë në Paris ka parashikuar që PBB-ja e Britanisë së Madhe do të bjerë me 0.4 për qind në vitin 2023 dhe do të rritet me 0.2 për qind në vitin 2024.

Michael Saunders, një këshilltar i lartë ekonomik në “Oxford Economics”, tha se "Brexit” ka dobësuar ndjeshëm ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar që nga viti 2019, së bashku me efektet nga pandemia dhe goditjen e çmimit të energjisë.

Saunders vuri në dukje se investimet e biznesit të Mbretërisë së Bashkuar kishin performuar më pak në krahasim me ekonomitë e tjera të mëdha që nga viti 2016.

Inflacioni në Britaninë e Madhe arriti nivelin më të lartë të 41 viteve prej 11.1 për qind në tetor, si pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve.

Recesioni në Mbretërinë e Bashkuar pritet të zgjasë një periudhë dyvjeçare, nga tremujori i tretë i vitit 2022 deri në tremujorin e dytë të vitit 2024. (Elona)