Kina ruan vlerësimin “A++” në treguesin e qeverisjes globale
2022-12-05 21:32:41

Një pamje nga Boao, ku organizohet Forumi i Boaos për Azinë, në provincën kineze Hainan. /CFP

Kina ka ruajtur vlerësimin "A++" për qeverisjen globale në një raport të publikuar të shtunën.

Dokumenti, i titulluar "Raporti i treguesit të pjesëmarrjes së shteteve në qeverisjen globale 2022," u publikua bashkërisht në një konferencë shtypi nga Instituti i Shkencës Politike në Universitetin e Shkencës Politike dhe Ligjit të Kinës Lindore dhe Grupi i Komunikimit Ndërkombëtar i Kinës në Akademinë e Studimeve të Kinës dhe Botës Bashkëkohore.

Treguesi përbëhet nga katër kritere kryesore: mekanizmi, performanca, vendimi dhe përgjegjësia. Secili prej tyre përfshin tregues të shumtë, me qëllim matjen dhe vlerësimin objektiv të shkallës në të cilën 189 shtete në mbarë botën marrin pjesë dhe kontribuojnë në qeverisjen globale sipas të dhënave të mbledhura.

Bazuar në një hetim sistematik për pjesëmarrjen e 189 shteteve në qeverisjen globale më 2021 – viti i dytë pandemisë së COVID-19 – raporti arrin në përfundimin se Kina, Shtetet e Bashkuara dhe Franca mbajtën vlerësimin e tyre "A++", duke qenë në krye të qeverisjes globale.

Duke vënë në dukje që një rimëkëmbje e paekuilibruar ndikoi në aftësitë e qeverisjes globale të çdo vendi, raporti pohon se, ndërsa fuqitë rajonale e globale forcuan më tej mbizotërimin e tyre, vendet në zhvillim dhe më pak të zhvilluara ka gjasa të jenë më të përjashtuara nga qeverisja globale.

Rajonet që kanë ndikim më të paktë në qeverisjen globale, janë Azia Perëndimore e Qendrore ndërsa rajonet me ndikimin më të madh mbeten të përqendruar në Evropën Perëndimore e Amerikën e Veriut, si edhe Kina në Azi, sipas raportit.

Raporti vjetor, i nënti që nga 2014-a, paraqet një vlerësim sistematik të pjesëmarrjes së çdo shteti në qeverisjen globale gjatë një viti. (Artan)