Ministri i Jashtëm iranian zhvillon bisedë telefonike me kryediplomatin europian Borrell
2022-12-05 11:02:52

Foto: VCG

Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Aabdollahian, zhvilloi një bisedë telefonike me shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, për çështje me shqetësime reciproke, njoftoi Ministria e Jashtme e Iranit, citon “Xinhua”.

Gjatë bisedës, Amir-Aabdollahian falënderoi përfaqësuesin e lartë të BE-së për rolin e tij në rrugën e dialogut dhe ndërveprimit, thuhet në deklaratë.

Ai ndërkohë bëri kritika kundër retorikës diplomatike të pasjellshme të një ose dy ministrave evropianë, duke thënë se ata ishin nën ndikimin e informacionit të gabuar, i cili mund të dëmtonte qëllimet strategjike të bllokut.

Diplomati i lartë iranian i kërkoi Borrell-it të luante rolin e tij të rëndësishëm në parandalimin e bllokut që të bënte lëvizje jokonstruktive në marrëdhëniet dypalëshe, sipas ministrisë.

Të dy palët diskutuan gjithashtu zhvillimet e fundit të negociatave të Vjenës për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore iraniane të vitit 2015 dhe bashkëpunimin midis Iranit dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Nga ana e tij, Borrell nënvizoi përpjekjet e tij për të lehtësuar një marrëveshje midis të gjitha palëve.

Irani nënshkroi marrëveshjen bërthamore, të quajtur zyrtarisht Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), me fuqitë botërore në korrik 2015, duke rënë dakord të vendosë disa kufizime në programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ndaj vendit. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja në vitin 2018 dhe rivendosën sanksionet ndaj Iranit, duke e shtyrë këtë të fundit të reduktojë disa nga angazhimet e tij bërthamore sipas marrëveshjes.

Bisedimet për ringjalljen e JCPOA filluan në prill 2021 në Vjenë. Asnjë përparim nuk është arritur pas raundit të fundit të negociatave në fillim të gushtit. (Fatosi)