Izraeli godet Gazën pas lëshimit të raketës
2022-12-05 11:23:41

Foto: VCG

Forcat ajrore izraelite njoftuan se kishin kryer sulme ajrore të dielën kundër objekteve të Lëvizjes së Rezistencës Islamike (Hamas) në Rripin e Gazës, pasi një raketë u hodh nga enklava bregdetare drejt territorit izraelit, shkruan “CGTN”.

Lëvizja izraelite erdhi si përgjigje ndaj lëshimit të mëparshëm të një rakete në jug të Izraelit, për të cilin asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë dhe nuk është raportuar për viktima.

“Në përgjigje të raketës së lëshuar në drejtim të territorit izraelit, avionët luftarakë të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) shënjestruan një vend të prodhimit të armëve që i përket organizatës terroriste Hamas, ku prodhohen shumica e raketave të organizatës në Rripin e Gazës”,- njoftoi Ushtria izraelite përmes një deklarate.

IDF gjithashtu goditi një tunel terrorist të Hamasit në Rripin jugor të Gazës.

Dëshmitarët deklaruan për “Xinhua” se dronët dhe avionët luftarakë të ushtrisë izraelite u dëgjuan të gumëzhinin në ajër dhe disa shpërthime u dëgjuan në perëndim të qyteteve jugore të Rripit të Gazës, Khan Younis dhe Rafah.

Militantët në enklavën bregdetare të sunduar nga Hamasi gjuajtën gjithashtu të paktën pesë raketa në komunitetet jugore izraelite pranë kufijve me Rripin e Gazës gjatë sulmeve ajrore, thanë burime pranë sigurisë së Hamasit për “Xinhua”.

Mediat në Gaza cituan një burim egjiptian të thoshte se Inteligjenca egjiptiane është në kontakt intensiv me fraksionet palestineze për të shmangur një përshkallëzim në Gaza. (Fatosi)