Populli kinez çmon trashëgiminë e Jiang Zemin-it
2022-12-05 10:33:46

Foto: Xinhua

Gjatë ditëve të fundit, njerëzit anembanë Kinës kanë vazhduar të shprehin pikëllimin dhe vlerësimin e tyre për Jiang Zemin-in, i cili vdiq të mërkurën në Shangai në moshën 96- vjeçare.

Ata thanë se Jiang-u do të shërbejë gjithmonë si burim frymëzimi për ta.

"Shoku Jiang Zemin gjithmonë theksonte se Reforma e Hapja janë rruga për një Kinë më të fortë dhe ai nxiti pa u luhatur reformën në të gjitha aspektet," tha Shen Chuanliang, studiues në Shkollën e Partisë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK).

Shen theksoi se Jiang Zemin-i udhëhoqi përpjekjet për të hartuar dhe zbatuar një varg parimesh, politikash e strategjish kryesore dhe për të çuar përpara reformat në fusha të ndryshme.

Si udhëheqës i vendit, Jiang Zemin-i nxiti aktivisht shkëmbimet e Kinës me vende të tjera në fusha, nivele e forma të ndryshme, duke çelur hapësira të reja në frontin diplomatik të Kinës, vuri në dukje Wu Xinbo, dekan i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin Fudan të Shangait.

Njerëzit duhet të vazhdojnë trashëgiminë e tij dhe të shtojnë më tej njohjen e ndërsjellë dhe miqësinë ndërmjet popullit kinez dhe popujve të vendeve të tjera, shtoi Wu.

Duke kujtuar komentet e Jiang Zemin-it mbi Teorinë e Tre Përfaqësimeve gjatë një turneu inspektimi në provincën Guangdong në vitin 2000, Zou Jihai, atëherë drejtues i Partisë i qytetit Gaozhou, tha se Teoria e Tre Përfaqësimeve u përgjigjet më tej pyetjeve se çfarë është socializmi e si mund të ndërtohet ai dhe trajton në mënyrë krijuese çështjet se çfarë lloj Partie duhet të ndërtohet dhe si mund të ndërtohet.

Chen Hongyu, ish-zv.drejtor i Shkollës së Partisë të Komitetit të Partisë të provincës Guangdong, mendon se Teoria e Tre Përfaqësimeve e formuluar nga Jiang Zemin-i është një thesar i çmuar i Partisë dhe popullit.

Shumë njerëz kujtuan gjithashtu se në verën e 1998-s, kur pjesë të tëra të Kinës u goditën nga përmbytjet masive, Jiang Zemin-i shkoi në frontin e parë për të komanduar punën e luftës kundër fatkeqësisë.

Liu Keyi, atëherë sekretari i Partisë i qytetit Jingzhou në provincën Hubei, tha se e mbante mend skenën kur Jiang Zemin-i, duke shpërfillur rrezikun, u ngjit mbi digë për të drejtuar vetë luftën kundër përmbytjeve.

Liu tha se kjo betejë kundër fatkeqësive natyrore i ndihmoi kinezët të formojnë "shpirtin e madh të luftës kundër përmbytjeve", duke u bërë një thesar intelektual i çmuar i vendit.

Në vitet ’90 të shekullit të kaluar, Jiang Zemin-i mori vendimin strategjik që Kina të anëtarësohet në Organizatën Botërore të Tregtisë, çka siguroi një mjedis më të mirë ndërkombëtar për vendin dhe nxiti reformën strukturore në ekonomi.

Në fund të shekullit të kaluar, Jiang Zemin-i propozoi një strategji për zhvillimin e rajonit të madh perëndimor të Kinës, duke sjellë mundësi të reja në këtë rajon, që përbën 71 për qind të sipërfaqes tokësore të Kinës.

"Kjo strategji ka sjellë mundësi të mëdha për zhvillimin e qytetit Bazhong," theksoi Lyu Aiguo, zyrtar në Bazhong të provincës së Sichuan-it.

Yao Meili, një banore e Shangait, shprehet që jeta e saj është përmirësuar vazhdimisht që nga fundi i viteve ‘80. "Jeta jonë po bëhet gjithmonë e më e mirë dhe ne jemi gjithmonë mirënjohës për përkushtimin e madh të shokut Jiang Zemin ndaj popullit të Shangait," tha 73-vjeçarja.