Joe Artid Fejzo Nota nga Muzika e Jetës
2022-12-04 09:25:15

Joe Artid Fejzo (Foto personale)

Joe Artid Fejzo (Foto personale)

Kantautori i njohur shqiptar Joe Artid Fejzo ka qenë pjesë e shumë festivaleve të Radio Televizionit Shqiptar që në vitet ’90  ku ka marrë pjesë kryesisht me materiale muzikore të realizuara nga vetë ai. Dashuria për artin lindi që në vegjëli, kur shoqëronte të atin artistin e madh Muharrem Fejzo, në xhirimet e filmave nëpër Shqipëri. Pas studimeve për piano ai nisi të punonte pranë Teatrit të Operas dhe Baletit si pianist. Përveç këndimit, pianos, kompozimit, poezive të shumta, ai ka pasion edhe fotografinë. Në vitin 1995 Joe Artid Fejzo mori pjesë në Festivalin e 34-të të këngës me këngën “Prind”, në Festivalin e 36-të me këngën "Nesër një tjetër ditë...",  në Festivalin e 43-të në RTSH me këngën "Me Ty" e cila është realizuar edhe në videoklip si një film i shkurtër, në vitin 2005 ai mori pjesë në Festivalin e 44-të në RTSH me këngën "Zhurma e heshtjes... Oh Tirana", në Festivalin e 45-të me këngën "Vallë Përse…..?", në Festivalin e 46-të mori pjesë me këngën "Këtë natë të dy", si dhe pjesëmarrja e tij e fundit në Festivalin e 47-të të Këngës në RTSH me këngën "Nostalgji” ku kantautori Joe Artid Fejzo erdhi në një duet me artistin e ndjerë, Kujtim Prodani.

Joe Artid Fejzo me prindërit Nadi dhe Muharem Fejzo (Foto personale)

Joe Artid Fejzo me prindërit Nadi dhe Muharem Fejzo (Foto personale)

Në vitin 2007 ai publikoi albumin muzikor “Piano… Forte”. Që pas  viteve ’90 ai jeton në Itali ku është angazhuar me muzikën, por edhe biznesin e tij Akademinë e Baletit Nasco Danza ku  me bashkëshorten e tij koreografe Lola Fejzo, kanë patur suksese të njëpasnjëshme. Nga  dashuria e tyre e madhe lindi vajza e tyre Alina, gjithashtu koreografe. Përgjatë këtyre viteve ai ka krijuar muzikë, albume  muzikore, interpretime live, por  nuk kanë munguar dhe aktivitetet  e tij të shumta artistike.

Joe Artid Fejzo është i vetmi këngëtar i huaj që arriti të kalojë ndër 3000 konkurrentë nga e gjithë Italia, në 16 finalistët që  realizuan duete  me yjet e muzikës italiane, ku ai këndoi me mjeshtrin e muzikës napolitane “Malafemmena” duke u rradhitur në vendin e dytë në spektaklin e Canale 5 për Mediaset drejtuar nga Pippo Baudo ," La Canzone del Secolo".

Së fundi Joe Artid Fejzo mori pjesë në Festivalin “Luleborë” mbajtur në Shkodër me këngën “Larg yje”. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës ai tregon për rikthimin e tij në festival, kujtimet që mbart nga miku i tij, artisti i ndjerë Kujtim Prodani, por edhe planet në vazhdim.

Gjatë realizimit të intervistës për Grupin Mediatik të Kinës kantautori Joe Artid Fejzo ishte i ulur pranë një pianoje të kuqe, pikërisht aty ku miku i tij artisti i ndjerë Kujtim Prodani, ka luajtur për një kohë të gjatë. E ndërsa improvizoi diçka në kujtim të tij, solli ndërmend kujtimet që kishin së bashku që nga fëmijëria, prezantimin në duet së bashku në festival.   

Bashkeshortja Lola me Joe Artid dhe Alina Fejzo  (Foto personale)

Bashkeshortja Lola me Joe Artid dhe Alina Fejzo  (Foto personale)

CMG: E nisim disi ndryshe intervistën. Çfarë kujtimesh të erdhën ndërmend në këto momente?

Joe Artid Fejzo: Kjo piano më sjell ndër mend mikun tim, që ke me keqardhje nuk është më, Kujtim Prodani. Nga Prodanët e Kolonjës dhe Fejzot, miqësi e pandarë që nga baballarët tanë, e më pas ne si shokë klase në lice dhe në Institutin e Arteve. E tashmë Kujtimi mbetet në meloditë që kemi ndërthurur, në mendjen e  njerëzve, në këngët që shkroi dhe interpretoi, e që e solli me forcën e shpirtit dhe të zërit. Ai zë që s’ka për t’u shuajtur kurrë, derisa të kemi frymë ne shokët e tij që na la mbrapa. Kjo piano përveçse ka ngjyrën e kuqe dhe jo si pianot e zanokshme të zeza, është luajtur nga duart e Kujtimit. Unë sa herë që vija në Tiranë telefonata e parë që bëja ishte me Kujtimin. Gjithashtu kam edhe një kujtim tjetër me të, pjesëmarrja ime e fundit në Festivalin e Rtsh-së ka qenë me Kujtim Prodanin me këngën “Nostalgji”, ku zgjodhëm një temë që ngjante me kujtimet e prindërve tanë, me dashuritë me vajzat në Rusi.

CMG: Pas atij festivali, një mungesë e gjatë dhe këtë vit u riktheve në festivalin e Shkodrës “Luleborë”. Na trego si të erdhi ftesa për aty?

Joe Artid Fejzo: Një tjetër mik i imi që kur ishim në lice Markelian Kapidani, pas 25 vitesh që nuk shiheshim që nga Festivali i Pranverës, më tej u humbëm, unë në Itali e Marku në Zvicër, Itali, etj. Më pas mora  vesh se ai ishte krhyer në Shkodër. Më erdhi një ftesë me mesazh ku më shkruante: “Artid, nëse ke ndonjë këngë të bukur sille, që t’ja paraqesim komisionit në Festivalin “Luleborë”. Unë e kisha një këngë e i tregova për të, edhe pse nuk përkonte me këngët qytetare shkodrane, por do ishte kënaqësi që të paraqitesha në publik me këtë këngë. Tekstin e këngës e kam shkruar në bashkëpunim me gazetaren Sava Lena, muzikën e kam krijuar vetë, (ky është bashkëpunimi ynë i dytë se ai i pari ka qenë me këngën “Zhurma e heshtjes”). Marku më tha t’ja nisja këngën edhe me e-mail se komisioni e kishte pëlqyer. Ai e riorkestroi dhe e përshtati me orkestrën e  festivalit “Luleborë”. Kur mbërrita në Shkodër, orkestra po lunate këngën time. Ata artistë janë vërtetë heronj. Të arrish të transformosh partitura aq të vështira, në një melodi aq specifike nuk është e lehtë. Nuk shkova në atë festival me frymën e garës, por të mysafirit sepse këngët e Shkodrës kanë një zanafillë të lashtë, që nuk përkon me këngët që lëvrohen sot në Tiranë. Dhe mua për këtë më vjen keq se është bërë pis me këto rryma që kanë ardhur, nuk janë më këngët e liqenit, ato këngë të mirëfillta të  festivaleve të dikurshme.

Joe Artid Fejzo  (Albumi Piano Forte)  Foto personale

Joe Artid Fejzo  (Albumi Piano Forte)  Foto personale

CMG: Mbetemi te Festivali “Luleborë”..

Joe Artid Fejzo: Paraqitja ime aty, bëri që t’i premtoja Shkodrës se vitin tjetër do të paraqitem me një material tjetër, me “E bukura Shkodër”.

CMG: A ishte e vështirë për ty që ta sillje me një orkestrim të ri këngën, pasi është kompozuar nga një artist italian vite më parë…

Joe Artid Fejzo: Po, e vërtetë. Kjo këngë është paraqitur disa vite më parë në një festival, por nuk është përzgjedhur. Nuk ishte e vështirë sepse Marku është aq profesionist, saqë i kalon caqet e një orkestruesi të thjeshtë, sepse duke qenë kompozitor, orkestrues etj, i kalon caqet e përshtatshmërisë. Dhe atë përshtatje që i bëri Marku, jo vetëm që këngës i dhuroi gjëra të reja, por i dha dhe një shtytje.

CMG: Na trego për fabulën e saj…

Joe Artid Fejzo: Kënga lindi si fabul apo  një skicë- ide nga ngjarja e Otrantos, ku humbën jetën shumë persona. Në atë moment pata  ndjesinë e këputjes së dashurive, që natyrisht mund të jenë dashuri që këputen nga mërgimi, dashuri që këputen nga lufta, tërmetet, e nga fatkeqësi të tjera, e që një pjesë ngelet në këtë tokë dhe një pjesë kalon atje lart. E pikëlidhja është ylli midis të dy vështrimeve, dhe rrezeve që lëshon ylli.    

CMG: Pas këngës që interpretove në Festivalin “Luleborë” si do vijojë krijimtaria jote muzikore?

Joe Artid Fejzo: Vazhdoj të shkruaj në shqip dhe italisht, kam po ashtu edhe këngë të reja qe janë përgatitur për t’u nxjerrë në publik. Ndoshta kënga që mendoj të sjell vitin tjetër në “Luleborë” do jetë “E bukura Shkodër”, dhe që do i japë shtysë krijimit të një albumi të ri, që mund të titullohet “Ndryshe”.

 CMG: Si do të vijë “Ndryshe”, në çfarë kuptimi?

Joe Artid Fejzo: Në aspektin e prezantimit të këngëve sepse këngët do të jenë të zhanreve të ndryshme, si në orkestracion ashtu edhe në zhanrin e krijjmtarisë, që mund të lëvizin nga kënga e qetë, balada e deri në Pop Rock e Pop Folk.

Joe Artid Fejzo e Anjeza Shahini dhe Sava Lena e Tose Proeski në Fest 44 viti 2005   (Foto personale)

Joe Artid Fejzo e Anjeza Shahini dhe Sava Lena e Tose Proeski në Fest 44 viti 2005   (Foto personale)

 

CMG: Kur mendon të jetë gati ky album i ri muzikor?  

Joe Artid Fejzo: Këtë nuk mundem realisht ta parashikoj sepse krahas muzikës merrem edhe me angazhime të tjera e duhet të gjej kohën e duhur për t’ju  dedikuar sepse kënga është njëlloj si femra. Duhet të dish ta lajkatosësh, ta përkëdhelësh, që të japi rezultatin e duhur në atë që është muza e krijimit. Një datë të caktuar nuk mundem ta them sepse edhe impenjimet me bizneset e tjera janë goxha të mëdha këtë kohë. Përveç Akademisë, jemi edhe në lancimin me rend botëror të një platforme të re e cila i kalon kufijtë e nje biznesi normal. Prandaj muzika, poezia dhe krijimtaria duan kohën e tyre për t’u ndërthurur për një krijim të mirëfilltë.

CMG: Cila është muza e frymëzimit tënd?

Joe Artid Fejzo: Dashuria dhe vetëm dashuria! Kur vjen ideja dhe emocioni mund të jetë në çfarëdo lloj momenti, vendi dhe kohe, madje edhe natën. Duke ëndërruar, zgjohem, kam letrën dhe lapsin aty afër dhe hedh skicën e melodisë. Pra disa gjëra lindin e zhvillohen pa i menduar më përpara.

CMG: Pas gjithë këtyre materialeve muzikore që do të sjellësh me një album të ri, mendon të na sjellësh edhe ndonjë koncert recital më Tiranë për t’i pasqyruar ato këngë?

Joe Artid Fejzo: Të bësh një koncert recital në Tiranë sigurisht që do kohën e vet dhe dedikim në vendin ku do ta realizosh atë koncert. Duhen lidhjet me muzikantët, interpretuesit, pjesëmarrësit në orkestrimin e këngës dhe paraqitjen live të këngëve. Është një impenjim, i cili nuk është relativisht i lehtë, por duke qenë se i mungoj për një kohë të gjatë publikut ndoshta  ku i dihet. Brenda dy viteve do mundohem që të  realizoj një spektakël live, si dikur në vitin 1993, ku u paraqita për herë të parë si këngëtar në Shqipëri, i ikur prej andej si pianist e koncertist i TKOB dhe i ardhur më pas si kantautor.  Ndoshta 2023 do ketë diçka të re që do përkojë me 30-vjetorin e rikthimit.

CMG: Artid, si është të jesh artist në kohët e sotme, pikërisht në vitin 2022, ku është një karrierë e gjatë artistike, prej 3 dekadash?

Joe Artid Fejzo: Një pyetje pak ngacmuese kjo sepse në kohët që po jetojmë arti po shkon drejt një rënie, si nga politika e qeveritë që mendoj e mbështesin përherë e më pak artin e mirëfilltë. Kjo ndodh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali dhe vende të tjera të Europës ku fondet e caktuara për krijimtarinë dhe zhvillimin e kulturës shkojnë drejt rënies. Kjo shihet edhe me mbylljen e shumë kompanive, teatrove të cilat detyrohen të mbyllen për mungesë fondesh. Ai që reziston këto kohë, reziston në bazë të dëshirës së mirë, e dashurisë që ka për të sjellë risitë në art, e mos dorëzohet përpara asaj që është si mospërfillje nga ana e të fortëve apo atyre që kanë monedhën. Duket kjo nëpërmjet mediave, televizionit e radios, këngë që lindin edhe “vdesin” brenda 2-3 muajve, jo si ato që shkruheshin dikur në vitet  ’70, të cilat edhe sot pas 3 dekadash i dëgjojmë me kënaqësi.  

Joe Artid Fejzo me bashkeshorten Lola Fejzo pas sukseseve me Akademine e Baletit Nosco Danza (Foto personale)

Joe Artid Fejzo me bashkeshorten Lola Fejzo pas sukseseve me Akademine e Baletit Nosco Danza (Foto personale)

CMG: Ndoshta kjo ndodh sepse dikur krijoheshin 20 apo 30 këngë në vit, e tani po aq këngë realizohen në vetëm një ditë?

Joe Artid Fejzo: Edhe kjo nuk është shenjë e mirë për atë që sapo përmendëm, pra konsumin e përdorimit të shpejtë edhe të hedhjes së shpejtë të atyre që janë. Ashtu sikur hyn edhe del kënga nga veshi. Nuk është më fabula e këngës që të të ngacmojë  në shpirt dhe për këtë ikën e harrohet shpejt.

CMG: Le te flasim  për planet e së ardhmes, muzika, shkolla  e baletit, etj?  

Joe Artid Fejzo: Shkolla e baletit është krijesë e Lolës, bashkëshortes sime, së fundmi është dhe Alina e cila i afrohet pas gati 13 vite eksperincë në Hollandë, pasi lëvizi me baletin konteporan në të gjithë botën, si interpretuese dhe ekzekutuese e shumë koreografive. Po përgatisim 3-4 koncerte përpara fundvitit në qytetin e Porto San Giorgio ku administrimi i qytetit këtë rradhë ka vendosur t’i japë si temë   veprën  “Arrëthyesi”, dhe i gjithë qyteti do të vihet në dispozicion të kësaj përralle baleti, e cila përfaqëson një traditë që rikthehet pothuajse çdo Krishtlindje nga ana artistike. Një atmosferë festash me muzikën e   Çajkovskit që janë të një zhanri të papërsëritshëm, në të cilën Lola dhe Alina kanë pjesët e koreografive në bashkëpunim me kompani të tjera teatrale  e muzikore, të cilat i dedikohen kësaj teme kaq origjinale dhe të dashur për të gjithë fëmijët e mbarë botës.

Përveç kësaj ka qenë edhe një impenjim tjetër për një shfaqje shumë impenjative, siç është shfaqja që kemi realizuar me recitim dhe balet në dhunën kundër femrës. “Amare da morire” që do të thotë “Të dashurosh deri në vdekje” ose “Të dashurosh deri sa ta vdesësh”. Një shfaqje, e cila trajton këto fenomene që kohët e fundit po ndodhin në Itali dhe në mbarë botën, vdekje të shpeshta duke i dhënë fund vetë jetës për shkak të burrit, të dashurit etj. Me çfarë të drejte e ushtrojmë ne këtë dhunë ndaj një krijese që nuk ka forcën e mashkullit edhe pse në anë të tjera është shumë më e fortë se mashkulli, duke u nisur që nga pjesa që ne lindim prej tyre.

 

Joe Artid Fejzo në intervistë për programin Muzika shqip

Joe Artid Fejzo në intervistë për programin Muzika shqip

CMG: Pra një qënie e brishtë që krijon botën

Joe Artid Fejzo: Po dhe i jep aq shumë dashuri botës.

CMG: Kjo vepër do të jetë në fund të vitit?

Joe Artid Fejzo: Po do të jetë në 30 dhjetor ku  Alina kuron koreografinë, ndërsa regjia është e një tjetër mësueseje në shkollën tonë e cila jep recitim dhe teatër. Alina gjithashtu kuron edhe anën e fotografisë sepse në hyrjen e teatrit do të jetë dhe paraqitja fotografike kundër dhunës ndaj femrës.

CMG: Një tjetër pasion i Alinës?

Joe Artid Fejzo: Ajo është edhe fotografe e videomaker. I ka ngjarë gjyshit të saj në këtë drejtim. Mund të them që është një artiste 369 gradë, në të tëra anët.

CMG: Alina të ka shoqëruar si koreografe dhe balerinë në interpretimin tënd në festivalin e këngës në RTSH, ku  ishte bashkë me trupën e baletit nga Italia. Si është për për ty ndërthurja mes baletit dhe muzikës, pasi kohët e fundit të ka marrë më shumë kohë Akademia e Dancit?

Joe Artid Fejzo: Mendoj se me rikthimin e Alinës në Itali, Lola do të ketë një krah të djathtë e të mirëfilltë nga ana e baletit, por edhe e muzikës sepse i fejuari i Alinës është muzikant i mirëfilltë, i cili krijon  si dhe ka studion e tij ku realizon muzikën, regjistrimet. Pra ai është krah për Alinën dhe për shkollën njëkohësisht, kështu që unë mund të lirohem pak nga ana menaxheriale e shkollës së baletit, për t’iu kushtuar më tepër muzikës në vazhdim.

CMG: A do të keni ndonjë bashkëpunim brenda familjes?

Joe Artid Fejzo: Sigurisht që po sepse 2-3 realizime muzikore origjinale të Timit do t’i përshtaten me koreografinë që do të realizojë Alina për shfaqjen e fundvitit.

CMG: Po ti a do të kesh në album ndonjë me Timin?

Joe Artid Fejzo: Sigurisht që po, e kemi diskutuar dhe pasi të zhvendosin komplet studion nga Hollanda në Itali, do të kemi mundësinë më pas të një bashkëpunimi vërtet të ngushtë midis krijimtarisë sime të vjetër dhe mendimeve të tij të reja.

CMG: Të uroj shumë suksese dhe faleminderit që ishe i pranishëm në këtë intervistë në programin “Muzika shqip” për CMG

Intervistoi: Sava Lena