Jeta e lavdishme e ish-udhëheqësit kinez Jiang Zemin
2022-12-02 20:55:35

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Jiang Zemin-i ishte një udhëheqës i shquar që gëzonte prestigj të lartë të njohur nga e gjithë Partia Komuniste e Kinës (PKK), e gjithë ushtria dhe populli kinez i të gjitha kombësive.

Ai ishte një marksist i madh dhe një revolucionar proletar, politikan, strateg ushtarak dhe diplomat të madh. Ai ishte një luftëtar komunist i sprovuar nga koha dhe një udhëheqës i shquar i socializmit me karakteristika kineze. Ai ishte në qendër të brezit të tretë të udhëheqjes kolektive qendrore të Partisë dhe themeluesi kryesor i Teorisë së Tre Përfaqësimeve.

Jeta e Jiang Zemin-it ishte e lavdishme dhe luftarake. Gjatë karrierës së tij revolucionare më shumë se 70-vjeçare, ai qëndroi i palëkundur në idealet komuniste, plotësisht besnik ndaj Partisë e popullit dhe i përkushtuar me vendosmëri për çështjen e Partisë dhe të popullit.

Pas plenumit të katërt të Komitetit Qendror të 13-të të PKK-së, përballë kompleksitetit të situatës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare dhe sfidave të vështira e kthesave serioze që kishte përjetuar socializmi botëror, ish-udhëheqësi kinez Jiang Zemin drejtoi udhëheqjen kolektive qendrore të Partisë, duke u mbështetur fort te e gjithë Partia, e gjithë ushtria dhe populli kinez i të kombësive në mbrojtjen e kauzës madhore të socializmit me karakteristika kineze dhe për të çuar me sukses kauzën e socializmit me karakteristika kineze në shekullin e 21-të.

Jiang Zemin-i lindi më 17 gusht të vitit 1926 në qytetin Yangzhou të provincës Jiangsu.

Në vitin 1943, Jiang Zemin-i u pranua në Departamentin e Inxhinierisë Elektrike të Universitetit Qendror të Nankinit dhe mori pjesë aktive në veprimtarinë antijaponeze dhe patriotike të studentëve përparimtarë. Pas fitores së Luftës Antijaponeze, Jiang Zemin-i u transferua në Departamentin e Inxhinierisë Elektrike të Universitetit Jiaotong të Shangait për të studiuar. Në prill të vitit 1946, Jiang Zemin-i u pranua në Partinë Komuniste të Kinës

Pas diplomimit në vitin 1947, Jiang Zemin-i mori detyrën e zv.drejtorit të Fabrikës Ushqimore Yimin të Shangait. Në shtator të vitit 1954, Jiang Zemin-i mori pjesë në ndërtimin e fabrikës së parë të prodhimit të automobilave në Changchun dhe në vitin 1962 kaloi në Institutin e Studimit të Pajisjeve Elektrike të Shangait, ku ishte përgjegjës për udhëheqjen e kërkimit shkencor.

Në maj të vitit 1966, Jiang Zemin-i u transferua për të shërbyer si drejtor dhe sekretar në detyrë i Komitetit të Partisë të Institutit të Makinerive Termike të Wuhan-it. Në shtator të atij viti, ai u emërua sekretar i Komitetit të Partisë të Institutit për të organizuar projektimin e pajisjeve të prodhimit të energjisë bërthamore.

Në vitin 1980, Jiang Zemin-i shërbeu si zëvendësdrejtor dhe sekretar i përgjithshëm i Komitetit Shtetëror të Menaxhimit të Import-Eksportit dhe Komitetit Shtetëror të Menaxhimit të Investimeve të Huaja, si edhe anëtar i grupit drejtues të Partisë, duke marrë pjesë në formulimin e politikave për zgjerimin e tregtisë së jashtme, futjen e teknologjisë dhe pajisjeve të huaja të përparuara, si edhe thithjen dhe shfrytëzimin e kapitalit të huaj.

Në maj të vitit 1982, Jiang Zemin-i u caktua si zv.ministër i Industrisë Elektronike, dhe u bë ministër i Industrisë Elektronike në vitin 1983.

Në vitin 1985, Jiang Zemin-i u bë kryebashkiak i Shangait dhe zëvendëssekretar i Komitetit të Partisë të Bashkisë së Shangait, ndërsa në vitin 1987 u emërua sekretar i Komitetit të Partisë të Bashkisë së Shangait. Gjatë kryerjes së detyrës, ai bëri të gjitha përpjekjet për të nxitur stabilitetin, zhvillimin dhe reformën e Shangait.

Në qershor të vitit 1989, në plenumin e katërt të Komitetit Qendror të 13-të të PKK-së, Jiang Zemin-i u zgjodh anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së dhe sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror.

Në tetor të vitit 1992, në Kongresin e 14-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës, Jiang Zemin-i mbajti një raport të titulluar "Përshpejtimi i ritmit të reformës, hapjes e modernizimit dhe arritja e fitoreve më të mëdha në kauzën e socializmit me karakteristika kineze", duke përcaktuar se qëllimi i reformës së sistemit ekonomik të Kinës është krijimi i një sistemi të ekonomisë socialiste të tregut, si edhe duke theksuar shfrytëzimin e mundësive, përshpejtimin e zhvillimit dhe përqëndrimin në zhvillimin ekonomik.

Në shtator të vitit 1997, në Kongresin e 15-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës, Jiang Zemin-i mbajti një raport, në të cilin thuhet se pronësia publike është boshti kryesor dhe zhvillimi i përbashkët i pronësisë së shumëfishtë është një sistem ekonomik bazë në fazën parësore të socializmit në Kinë, duke theksuar sundimin e ligjit dhe duke sqaruar objektivin madhor të reformës, hapjes dhe modernizimit të Kinës në shekullin e 21-të.

Në nëntor të vitit 2002, në Kongresin e 16-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës, Jiang Zemin-i mbajti një raport me titull "Ndërtimi i një shoqërie relativisht të begatë në të gjitha aspektet dhe krijimi i një situate të re për kauzën e socializmit me karakteristika kineze", duke sqaruar kërkesat e zbatimit me mënyrën të gjithanshme të mendimit të rëndësishëm të Tre Përfaqësimeve. 

Jiang Zemin-i vuri në dukje se 20 vitet e para të shekullit të 21-të janë faza e ndërtimit të një shoqërie relativisht të begatë në të gjitha aspektet, e cila është pasurim dhe zhvillim i fazës së zhvillimit dhe strategjisë së zhvillimit të socializmit me karakteristika kineze, duke qenë në përputhje me kushtet kombëtare të Kinës dhe aspiratat e popullit.

Në vitet ’90 të shekullit të 20-të, Jiang Zemin-i u shpreh se duhet të mbahet prirja e shpejtimit të globalizimit ekonomik dhe theksoi se, që të zhvillohet, Kina duhet të hapet ndaj botës së jashtme, të përparojë e të forcojë shkëmbimet ekonomike, teknologjike e kulturore dhe bashkëpunimin me vendet e tjera të botës.

Lidhur me ndërtimin e një ekonomie socialiste me karakteristika kineze, Jiang Zemin-i theksoi se Kina është një vend në zhvillim. Për të arritur modernizimin dhe për të ngushtuar hendekun me vendet e zhvilluara, çelësi qëndron në gjetjen e një rruge të zhvillimit të ekonomisë kombëtare të shpejtë dhe fitimprurëse, duke realizuar ndryshimin e modelit të rritjes ekonomike nga ekstensive në intensive.

Për sa i përket ndërtimit politik të socializmit me karakteristika kineze, Jiang Zemin-i vuri në dukje se zhvillimi i demokracisë socialiste dhe ndërtimi i qytetërimit politik socialist janë synime të rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie relativisht të begatë në të gjitha aspektet.

Lidhur me ndërtimin e kulturës socialiste me karakteristika kineze, Jiang Zemin-i theksoi se, në Kinën moderne, zhvillimi i kulturës së përparuar është zhvillimi i një kulture socialiste me karakteristika kineze dhe ndërtimi i qytetërimit shpirtëror socialist.

Gjatë ushtrimit të detyrës së kryetarit të Komisionit Qendror Ushtarak, Jiang Zemin-i vuri në dukje se krijimi i një mbrojtjeje solide kombëtare është një detyrë strategjike e përpjekjes për modernizimin e Kinës dhe një garanci e rëndësishme për ruajtjen e sigurisë e të unitetit kombëtar dhe ndërtimin e një shoqërie relativisht të begatë në të gjitha aspektet.

Jiang Zemin-i ka theksuar se interesat themelore të kombit kinez qëndrojnë në ribashkimin e atdheut dhe kjo është aspirata e përbashkët e të gjithë popullit kinez, përfshirë bashkatdhetarët në Tajvan, Hong-Kong e Makao dhe kinezët jashtë vendit. Ai drejtoi një varg punësh përgatitore të qeverisë kineze për të rifilluar ushtrimin e sovranitetit mbi Hong-Kongun dhe Makaon.

Përballë gjendjes ndërkombëtare komplekse, Jiang Zemin-i kishte një njohje të thellë të prirjes së përgjithshme të zhvillimit të situatës botërore dhe propozoi një sërë idesh strategjike diplomatike e ndërkombëtare, të cilat pasuruan teorinë dhe praktikën e diplomacisë socialiste me karakteristika kineze.

Mendimi i rëndësishëm i Tre Përfaqësimeve, i krijuar nga ish-udhëheqësi kinez Jiang Zemin, është trashëgimi dhe zhvillim i marksizëm-leninizmit, Mendimit të Mao Ce Dunit dhe Teorisë së Ten Hsiao Pinit, kristalizim i urtësisë kolektive të Partisë Komuniste të Kinës, ideologji udhëheqëse së cilës Partia duhet t'i përmbahet për një kohë të gjatë, dhe pasuri e çmuar shpirtërore e Partisë dhe e popullit.   (Fang Xiaoyu/Artan)