Ministri gjerman: Industria e Evropës në transformim historik
2022-12-01 18:06:38

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Peizazhi industrial në Gjermani dhe Bashkimin Evropian (BE) po kalon një transformim historik, sipas ministrit gjerman për Çështjet Ekonomike dhe Veprimin Klimatik, Robert Habeck.

Në një konferencë të industrisë, ai tha se kompanitë industriale në Evropë po përballen me detyra të mëdha, nga transformimi digjital, pasojat e pandemisë, konflikti Rusi-Ukrainë dhe ndryshimet demografike, citon “Xinhua”.

Pandemia e vazhdueshme po shkakton ende ndërprerje të zinxhirit të furnizimit dhe mungesa materiale në mbarë botën. Nëse industria gjermane do të kishte qenë në gjendje të përpunonte të gjitha porositë, produkti i brendshëm bruto në ekonominë më të madhe të Evropës do të ishte 1.2 për qind më i lartë në vitin 2021 dhe madje 1.5 për qind më i lartë pas gjashtë muajve të parë të këtij viti, sipas një studimi të publikuar nga Instituti i Politikave Makroekonomike.

Transformimi ekologjik është një tjetër element jetik i ndryshimeve aktuale, sipas Habeck. “Ne duam të arrijmë objektivat evropiane dhe kombëtare të klimës me ndihmën e një industrie efikase dhe konkurruese”,- theksoi Habeck.

Ndërsa BE synon të bëhet neutrale ndaj klimës deri në vitin 2050, Gjermania po kërkon ta arrijë këtë objektiv pesë vjet më parë, më 2045-n. “Ekziston një nevojë urgjente për ta bërë elastike rrugën drejt neutralitetit klimatik dhe ta bashkojmë atë me një strategji rritjeje”,- tha në konferencë presidenti i Federatës së Industrive Gjermane.

Vitin e kaluar, bizneset në Gjermani bënë investime në lidhje me mbrojtjen e klimës me vlerë 55 miliardë euro. Në vitet e ardhshme, megjithatë, kompanitë duhet të dyfishojnë investimet e tyre aktuale për të përmbushur objektivat klimatike të vendit. (Elona)