Homazhe te “Nëna Shqipëri” për 78-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë
2022-11-30 10:08:31

RTSH

Në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë u zhvilluan homazhe në nderim të heronjve që humbën jetën për çlirimin e vendit 78 vite më parë.  

Me një ceremoni shtetërore nderimi, presidenti Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, vendosën kurora me lule në monumentin “Nëna Shqipëri” dhe u përkulën me nderim ndaj dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e vendit, duke vlerësuar sakrificën e tyre, shkruan “RTSH”.  

Në homazhe ishin të pranishëm dhe ushtarak të lartë si dhe qytetarët.  

29 nëntori shënon 78-vjetorin e çlirimit të vendit. Prej 7 prillit 1939 e deri më 29 nëntor 1944, Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane. Ushtria Nacional Çlirimtare e Shqipërisë më 29 nëntor 1944 çliroi qytetin e fundit, Shkodrën, duke shënuar ditën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi gjerman. (Elona)