Irani nuk do të bashkëpunojë me misionin faktmbledhës të OKB-së
2022-11-30 14:43:19

Foto: VCG

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane deklaroi se Irani nuk do të bashkëpunojë me misionin, sipas tij politik, të propozuar nga një rezolutë e fundit e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Iranit “IRNA”.

Nasser Kanaani i bëri komentet në një konferencë javore për shtyp, në përgjigje të rezolutës kundër Iranit të miratuar në takimin e këshillit të mbajtur me kërkesë të Gjermanisë dhe Islandës, për të diskutuar ngjarjet e fundit në Iran.

Kanaani tha se qeveria iraniane ka ngritur një komitet kombëtar të përbërë nga ekspertë, juristë, si dhe përfaqësues zyrtarë dhe jozyrtarë të popullit dhe po heton tërësisht ngjarjet e fundit, citon “Xinhua”.

Masat e qeverisë iraniane në këtë drejtim tregojnë se ajo është e përkushtuar ndaj përgjegjësisë së saj thelbësore dhe kombëtare dhe po i përmbush detyrat e saj me përgjegjësi, vuri në dukje Kanaani.

Ai theksoi se përdorimi i nxituar i mekanizmave të të drejtave të njeriut, si dhe adoptimi i qasjeve politike dhe instrumentale ndaj çështjeve të tilla nuk kontribuuan në konceptin e të drejtave të njeriut.

Javën e kaluar, UNHRC-ja votoi në favor të krijimit të një misioni ndërkombëtar faktmbledhës për të hetuar përgjigjen e qeverisë iraniane ndaj protestave në vend.

Protestat shpërthyen pas vdekjes së një 22-vjeçareje, Mahsa Amini, e cila ishte ndaluar në një stacion policie në shtator. Qeveria iraniane fajëson Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera për nxitjen e trazirave dhe mbështetjen e terroristëve në vend. (Elona)