Braverman: Shqiptarët që kalojnë La Manshin me gomone të deportohen brenda 10 ditësh
2022-11-30 14:30:24

Foto: RTSH

Britania e Madhe do të nisë përdorimin e “listave të bardha” për deportimin e azilkërkuesve që vijnë nga vende që janë të sigurta. Kërkesa është bërë nga Ministria e Brendshme, ku sekretarja e Brendshme Suella Braverman tha se do të përpilojë një listë me vende të sigurta, ku të ardhurit nga vendet e përfshira në këtë listë mos të lejohen të kërkojnë azil, por të deportohen brenda 10 ditësh, përcjell “RTSH”.

Këto plane të reja konsiderohen si një mënyrë për të përballuar fluksin e emigrantëve të paligjshëm që kalojnë me gomone në kanalin e La Manshit.

Prestigjiozja “The Times” shkruan se Braverman po kërkon të imitojë një politikë të kryer nga qeveria laburiste në fillim të viteve 2000, në të cilën ajo trajtonte kërkesat e azilkërkuesve nga vendet e “listës së bardhë” brenda 10 ditësh.

Lista përfshin të gjitha vendet e BE-së si dhe Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë e Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi, Moldavinë, Indinë, Mongolinë, Afrikën e Jugut, Korenë e Jugut dhe një numër vendesh të Amerikës së Jugut.

Përjashtim për pranimin e azilkërkuesve nga vendet që vijnë nga vende të sigurta do të ketë vetëm për ata persona që u rrezikohet jeta apo persekutohen nga qeveritë e tyre dhe jo nga bandat e drogës apo organizatat terroriste.

Lidhur me emigrantët shqiptarë, një zëdhënës i zyrës së brendshme tha se qeveria vlerëson komunitetin shqiptar në Britani dhe mirëpret çdo të tillë që vjen në mënyrë të ligjshme.

Emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe kanë nxitur edhe debate mes sekretares së Brendshme Suella Braverman dhe qeverisë shqiptare. Teksa Braverman i cilësoi shqiptarët si kriminelë që duhen larguar, qeveria shqiptare dënoi gjuhën e ashpër raciste të përdorur dhe se nuk mund të fajësojë shqiptarët për dështimin e  politikave të tyre. Sipas një vlerësimi, shqiptarët përbëjnë 12.000 nga 43.000 njerëzit që kanë kaluar kanalin e La Manshit me varka të vogla deri më tani këtë vit. (Elona)