Kina: Infrastruktura kyçe, e hapur edhe për kompanitë e huaja
2022-11-29 12:48:04

Kina tha të hënën se infrastruktura kyçe e saj është e hapur ndaj investimeve të kompanive të huaja, duke hedhur poshtë komentet e bëra nga ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock.

Aeroporti Daxing,Pekin(Foto:VCG)

Aeroporti Daxing,Pekin(Foto:VCG)

Në një veprimtari të organizuar nga gazeta gjermane “Sueddeutsche Zeitung”, Baerbock-u u shpreh se kompanitë e huaja nuk mund të investojnë në objektet e infrastrukturës kineze, të tilla si aeroportet, portet dhe rrjetet elektrike.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian tha se këto deklarata nuk janë në përputhje me faktet.

Kompania daneze “Maersk”, një ndër korporatat më të mëdha të transportit detar në botë, ka investuar në porte në qytetet e mëdha bregdetare kineze, duke përfshirë Dalian-in, Shangain e Qingdao-n, dhe pati 25 për qind të aksioneve në një projekt portual me vlerë 4.3 miliardë juanë (600 milionë dollarë) në qytetin lindor kinez Ningbo në vitin 2012, vuri në dukje Zhao.

Porti Lianyungang,provincë Jiangsu(Foto:VCG)

Porti Lianyungang,provincë Jiangsu(Foto:VCG)

Deri në qershor 2020, 266 kompani telekomunikacioni me investime të huaja u miratuan në Kinë, sipas një raporti nga Akademia Kineze e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.

Kryediplomatja gjermane pretendoi gjithashtu se "anëtarët e pasur të G77-s", si Kina dhe Arabia Saudite, po ushtrojnë trysni mbi vendet e tjera, me qëllim që "të nxjerrin përfitime absolute".

Kina nuk është anëtare e G77-s, por si vendi më i madh në zhvillim, ka qenë gjithmonë në anën e vendeve në zhvillim dhe u ka dhënë ndihmë atyre brenda mundësive të veta, ndryshe nga disa vende që synojnë vetëm interesat vetjakë, duke shtypur vendet në zhvillim, tha zëdhënësi.

Ura Hong Kong-Zhuhai-Makao(Foto:VCG)

Ura Hong Kong-Zhuhai-Makao(Foto:VCG)

Zhao kundërshtoi gjithashtu paralajmërimin e disa zyrtarëve gjermanë se ndërmarrjet gjermane duhet të ulin varësinë e tyre nga Kina, duke thënë se një "varësi" e tillë është në vetvete diçka e rreme.

Bashkëpunimi ka qenë gjithmonë me përfitime të përbashkëta dhe varësia është e ndërsjellë, theksoi zëdhënësi i diplomacisë kineze, duke shtuar që në 40 vjetët e fundit, Kina ka zgjeruar hapjen dhe u ka siguruar investitorëve të huaj një mjedis biznesi të mbështetur në ligj, të orientuar nga tregu dhe të ndërkombëtarizuar.(Artan)