Eksperti: Vizita e presidentit kuban në Kinë është në dobi të marrëdhënieve dypalëshe
2022-11-28 13:14:36

Foto: VCG

Vizita shtetërore e presidentit kuban Miguel Diaz-Canel në Kinë është në dobi të zhvillimit të lidhjeve dhe miqësisë dypalëshe, ka thënë një ekspert kuban, citon “Xinhua”.

Kjo vizitë do të kontribuojë në zhvillimin e socializmit në Kinë dhe Kubë, dy vende që kanë zhvilluar marrëdhëniet e tyre në përputhje me parimet e solidaritetit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, tha Eduardo Regalado, një studiues në Qendrën Kërkimore të Politikave Ndërkombëtare të Kubës.

Regalado përmendi gjithashtu ndihmën e qeverisë kineze për Kubën si dhe angazhimin e Kinës për zhvillimin e Kubës në përputhje me lidhjet historike, kulturore dhe politike që bashkojnë të dy vendet.

Kina vazhdon të jetë një nga partnerët kryesorë tregtarë të Kubës, tha Regalado, duke shtuar se ekonomia e ishullit mund të përfitojë nga bashkëpunimi dypalësh.

Vizita ka ofruar gjithashtu një mundësi për të ndihmuar në nxitjen e marrëdhënieve midis Kinës dhe vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve, vuri në dukje ai.

Mes situatës komplekse ekonomike që po kalon Kuba, tha ai, kjo është një mundësi që ishulli të ecë përpara me mbështetjen e Kinës.

“Nën drejtimin e Partisë Komuniste të Kinës, populli kinez ka arritur rezultate mbresëlënëse gjatë dekadave të fundit. zhvillimi i Kinës ka kontribuar ndjeshëm në zhvillimin botëror. Kina ka treguar një zhvillim shumë dinamik dhe ka marrë masa që jo vetëm garantojnë prosperitetin e popullit kinez, por kontribuojnë edhe për botën”,- tha ai.

Gjatë pandemisë Covid-19, Kina gjithashtu ofroi ndihmë për Kubën, si dhurimi i furnizimeve mjekësore, vuri në dukje eksperti, duke shtuar se marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve kanë krijuar një shembull të mirë për marrëdhëniet komb me komb në botë. (Fatosi)