Xi Jinping-u zhvillon bisedime me presidentin e Mongolisë
2022-11-28 21:45:25

Presidenti i Kinës Xi Jinping zhvilloi të hënën bisedime me homologun e tij të Mongolisë Ukhnaagiin Khurelsuh, në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin.

Ndër të tjera, Xi Jinping-u vuri në dukje: “Takimi i dytë ndërmjet nesh në dy muaj mishëron plotësisht nivelin e lartë të marrëdhënieve midis Kinës dhe Mongolisë, të cilat janë vende fqinje të rëndësishme të njëra-tjetrës. Ruajtja e fqinjësisë së mirë afatgjatë dhe e bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve përputhet me interesat thelbësore të të dy popujve”.

Xi theksoi se modernizimi me karakteristika kineze jo vetëm do të nxitë rilindjen e kombit kinez dhe do të realizojë lulëzimin e vendit, por do të favorizojë edhe vendet përreth, e madje mbarë botën. Kina dhe Mongolia kanë mundësi të plota të ecin krah për krah në rrugën e rilindjes kombëtare dhe të modernizimit të tyre, duke krijuar një shembull për zhvillimin e integruar dhe me fate të përbashkëta.

“Kina dhe Mongolia janë vende në zhvillim në Azi-Paqësor dhe kanë interesa të gjera të përbashkëta në çështjet rajonale e ndërkombëtare. Pala kineze është e gatshme të bashkërendohet me palën mongole, për të mbrojtur bashkërisht multilateralizimin e vërtetë, për t’i rezistuar kundërvënies në bllok dhe për të mbrojtur solidaritetin dhe bashkëpunimin e bashkësisë ndërkombëtare,” u shpreh Xi.

Nga ana e tij, Ukhnaagiin Khurelsuh theksoi se pala mongole dëshiron që, bashkë me palën kineze, të thellojnë kontaktet politike, të këmbëngulin në përkrahjen e ndërsjellë, të respektojnë rrugën e zhvillimit të njëra-tjetrës dhe të thellojnë miqësinë e çeliktë dypalëshe.

Ai ritheksoi se Mongolia ndjek me vendosmëri politikën e “Një Kine” dhe kjo politikë nuk do të ndryshojë kurrë.

“Kina është një vend paqëdashës dhe nuk ka bërë agresion ndaj vendeve të tjera në histori, por ka ndihmuar me sinqeritet vendet e tjera në zhvillim. Pala mongole përkrah me të gjitha forcat Nismën e Zhvillimit Global dhe Nismën e Sigurisë Globale, të paraqitura nga pala kineze, që kanë të bëjnë me paqen e zhvillimin e njerëzimit,” theksoi presidenti i Mongolisë.

“Pala mongole e vlerëson lart kontributin e Kinës në mbrojtjen e paqes, stabilitetit e zhvillimit të botës dhe të sistemit ndërkombëtar me OKB-në në thelb. Ajo dëshiron të shtojë shkëmbimet dhe bashkëpunimin me Kinën në çështjet ndërkombëtare, për të dhënë ndihmesë për mbrojtjen e paqes rajonale,” shtoi ai.

Të dy palët publikuan edhe Deklaratën e Përbashkët mbi Nxitjen e Partneritetit të Gjithanshëm Strategjik në Epokën e Re, ku shprehën unanimitet për nxitjen e përbashkët të modernizimit dhe për të bërë përpjekje për krijimin e bashkësisë me fate të përbashkëta të të dy vendeve me bashkëjetesë paqësore, ndihmë të ndërsjellë dhe bashkëpunim me përfitime të përbashkëta.

Pas bisedimeve, krerët e dy vendeve ishin të pranishëm në nënshkrimin e dokumenteve të bashkëpunimit dypalësh në fushat ekonomiko-tregtare, doganore, të investimeve dhe të sistemimit të shtretëtirëzimit.

Gjithashtu, një ceremoni mirëseardhjeje u zhvillua për nder të presidentit mongol, që ndodhet në Pekin për një vizitë dyditore shtetërore në Kinë. (Wang Lei/ Artan)