Tërmeti i 26 nëntorit 2019, presidenti Begaj: Mirënjohje për ata që kontribuan në përballimin e pasojave
2022-11-28 11:10:02

Foto: Facebook Presidenca shqiptare

Presidenti shqiptar Bajram Begaj ka kujtuar tërmetin e 26 nëntorit 2019, ndërsa u ka shprehur mirënjohje shteteve që kontribuan në përballimin e pasojave të kësaj fatkeqësie.

“Tërmeti i 26 nëntorit 2019 ishte tërmeti më i madh që goditi Shqipërinë në 40 vjet, duke shkaktuar një tragjedi të vërtetë njerëzore si dhe dëme materiale të pallogaritshme. Mendimet tona shkojnë në kujtim të 51 viktimave të asaj ngjarjeje të dhimbshme”,- shkroi presidenti Begaj në një postim në rrjetet sociale.

Sipas kreut të shtetit, Shqipëria do t’i jetë përgjithmonë mirënjohëse të gjitha shteteve që kontribuan në përballimin e pasojave të tij, kontribut që sipas tij ishte jetik për mijëra familje.

Në tërmetin e 26 nëntorit, që të shtunën u mbushën 3 vjet nga ngjarja tragjike, 51 persona humbën jetën, ndërsa fatura e dëmeve arriti në rreth 1 miliard euro. (Fatosi)