Popullariteti i turizmit të kuq rritet mes të rinjve kinezë
2022-11-28 13:07:17

Foto: VCG

Vendet e trashëgimisë historike të Partisë Komuniste të Kinës tërheqin një numër në rritje të udhëtarëve të rinj, shkruan “CGTN”.

Turizmi i kuq, që paraqet turne në vende që lidhen me historinë revolucionare të vendit, është tani i popullarizuar në mesin e gjeneratës Z, njerëz të lindur në fund të viteve 1990 ose në fillim të shekullit XXI.

Memoriali Revolucionar Nanhu në Jiaxing, provinca Zhejiang e Kinës Lindore, është një muze i klasit të parë, i cili menaxhon vendin e Kongresit të Parë Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës.

Një nga pikat kryesore të memorialit të njohur për të rinjtë është ekipi i “Red Boat”, i cili përbëhet nga shumë docentë ose guida me përvojë që punojnë në një muze.

Ekspertët e industrisë thanë se gjenerata Z është bërë grupi kryesor i klientëve të turizmit të kuq dhe produktet që shfaqin përvoja dhe ndjesi të teknologjisë së lartë janë veçanërisht të njohura.

“Tuniu Corp”, një agjenci udhëtimesh në internet me bazë në Nanjing, njoftoi se midis itinerareve të turizmit të kuq, turneu treditor në malet Jinggang në provincën Jiangxi, i njohur si një nga djepet e revolucionit kinez, është pritur mirë nga klientët e rinj.

“Ctrip”, një kompani e madhe e shërbimit të biletave në internet, bëri të ditur se i kushton vëmendje të veçantë pjesëmarrjes së të rinjve në turizmin e kuq.

Gjatë Festivalit të Turizmit në Shangai nga 17 shtatori deri më 6 tetor, rruga rreth vendeve revolucionare të qytetit nga “Ctrip”, e cila përfshinte një vizitë njëditore në memorialin e Kongresit të Parë Kombëtar të PKK në Shangai, u vlerësua shumë nga të rinjtë. (Fatosi)