BE shtyn për në dhjetor marrëveshjen për kufirin e çmimit të gazit
2022-11-27 13:44:44

BE per gazin (Foto Yahoo)

BE per gazin (Foto Yahoo)

Çdo marrëveshje mbi propozimin e Komisionit Evropian për të kufizuar çmimin e gazit të importuar do të shtyhet deri në mes të dhjetorit, tha Jozef Sikela, ministri çek i Industrisë dhe Tregtisë dhe kryesues i takimit të jashtëzakonshëm të ministrave të Energjisë të BE-së, përcjell “Xinhua”.

Ai theksoi se ministrat e Energjisë të vendeve anëtare të BE-së do të mblidhen përsëri, për të kërkuar një bazë të përbashkët për projekt-masat aktualisht të diskutueshme.

Vendet anëtare të BE-së arritën një marrëveshje politike mbi një paketë masash që do të lejojë familjet dhe bizneset të blejnë energji të mjaftueshme me çmime të përballueshme, tha Sikela.

Paketa e masave të rënë dakord përfshin rregulla të reja për blerjet e përbashkëta të gazit, solidaritet në rast të ndërprerjeve të furnizimit me gaz dhe përshpejtimin e autorizimit të projekteve të reja të energjisë së rinovueshme.

Këto masa, të dizajnuara për të pakësuar varësinë energjetike të BE-së dhe për të mbrojtur familjet dhe bizneset e cenueshme nga efektet e çmimeve të larta të energjisë, u propozuan në mes të tetorit nga KE-ja.

Duke bashkuar pjesën më të madhe të kërkesës për gaz të BE-së në një skemë të përbashkët të blerjes së gazit, vendet anëtare shpresojnë të arrijnë çmime më të mira për gazin e importuar.

Të martën, Komisioni Evropian propozoi një kufi çmimi prej 275 euro (283 dollarë amerikanë) për megavat orë (MËh). “Përtej këtij çmimi, transaksionet nuk do të mund të ndodhin”,- tha eurokomisionerja për Energjinë Kadri Simson.

BE-ja aktualisht po lufton me çmime rekord të larta të energjisë, të cilat janë pasojë e krizës Covid-19 dhe konfliktit Rusi-Ukrainë. (Irma)