Si duhet të reagojë prindi kur fëmija flet fjalë "të pista"?
2022-11-24 12:44:34

Fëmijët e vegjël shpesh përsërisin fjalët që kanë dëgjuar. Fëmijët pak më të mëdhenj shpesh duan t’u masin pulsin e reagimit të prindërve të tyre. Nëse fëmija juaj ka filluar të përdorë disa fjalë të caktuara, ka disa opsione të disiplinës që mund t’a frenojnë gjuhën e tij. Provoni disa teknika nëse fëmija juaj ka filluar ta zgjerojë fjalorin e fjalëve të pista. Vlerat e familjes suaj do të luajnë një rol të madh për të përcaktuar se si t’u përgjigjen fjalëve të pista. Për disa familje, fjalët e pista nuk janë ndonjë gjë e madhe dhe prindërit e pranojnë se fëmijët kanë të ngjarë të përdorin sharjet. Për familjet që veçanërisht ofendohen nga fjalori i rëndë, është kritike që menjëherë ta adresoni problemin.

Por gjithsesi, bisedoni me fëmijën tuaj se si njerëzit e ndryshëm kanë vlera të ndryshme. Pra, ndërsa ata mund të thonë fjalë të pista, mund të jenë fyese për njerëzit e tjerë. Ose, në qoftë se në familjen tuaj nuk përdoren fjalë fyese, është e sigurt që fëmija juaj po i importon ato nga jashtë. Ndonjëherë fëmijët fyejnë për shkak të mungesës së disa prej aftësive të rëndësishme të jetës, si aftësitë e komunikimit dhe aftësitë sociale. Nëse është kështu, është e rëndësishme t’ia mësoni fëmijës tuaj ato aftësi menjëherë. Përndryshe, pasojat mund të jenë të përjetshme. Të rriturit që nuk kanë aftësi të kontrollit të impulsit mund të përjashtohen nga shkolla, apo nga puna për përdorimin e gjuhës së papërshtatshme. Përndryshe, ata mund të përjetojnë probleme në marrëdhënie nëse ata fyejnë të tjerët me fjalorin e tyre të rëndë. Është shumë e rëndësishme që prindi të jetë model i tyre më i mirë.

Nëse ju shani tepër, fëmija juaj do ta bëj gjithashtu të njëjtën gjë. Duke i thënë fëmijës suaj, “Këto janë fjalë të rriturish, ti nuk duhet t’i thuash!” nuk do t’i ndaloni ata. Fëmijët duan të jenë si të rriturit dhe do t’ju kopjojnë përsëri. Nëse fëmija juaj po kërkon vëmendje, atëherë injorojeni. Nëse qeshni ose i jepni rëndësi një fjale të pisët, është e garantuar që fëmija juaj do ta thotë përsëri. Injorimi mund të jetë një mënyrë e mirë e mbrojtjes, veçanërisht për fëmijët e vegjël. Nëse fjala e pistë përsëritet, pavarësisht nga injorimi, shpjegojani fëmijëve se nuk është një fjalë e mirë dhe nuk duhet të përdoret kurrsesi.

Por, cilat janë arsyet që fëmijët përdorin fjalët e pista?

* Për të tërhequr vëmendjen

* Për t’u pranuar nga shokët

*Për t’u dukur i fortë

Dr. Psikiatre Elona Dashi, e ftuar për Grupin Mediatik të Kinës  jep mendimin e saj në lidhje me këtë temë.

CMG: Fëmija eshtë një imitues i mirë i të rriturit, por  shpresh herë fjalët e pista fëmija nuk i mëson nga prindi. Si duhet t'ja parandalojnë prindërit këtë gjë?

Dr. Elona Dashi: Është e vërtetë sidomos kur fëmijët mësojnë fraza të cilat janë të reja dhe ata fillojnë t’i përsërisin. Po nga ana tjetër këto fjalë dhe fraza mund të jenë të papërshtatshme, për më tepër kur fëmija nuk e di ende kuptimin. Kështu ai tenton se duke i përdorur të testojë,  nëse do të marrë aprovimin që pret tek familja. Në momentin që fëmija flet një fjalë të papërshtatshme dhe familjarët fillojnë të reagojnë duke qeshur, e vënë në lojë, apo reagojnë edhe duke i bërtitur, fëmija ka kuptuar se në këtë mënyrë mund të ketë vëmendjen e tyre.

Është e vërtetë që  fëmijët nuk i mësojnë fjalët vetëm nga mjedisi i familjes, por edhe nga mjedise të tjera, qofshin këto edhe të pakontrolluara, me shoqëri, me bashkëmoshatar, me fëmijë më të rritur dhe jo gjithmonë prindi mund ta kontrollojë këtë gjë. Por një mënyrë për ta shmangur është qëtë mos e përforcojmë këtë sjellje, që do të thotë mos ti japim reagimin,qoftë ky pozitiv apo negativ që do bënte që fëmija ta përforconte këtë gjë  si sjellje, si fjalë, si veprim. Duke mos i dhënë vëmendje, atëherë fëmija gradualisht do ta harrojë.

CMG: Si mund ta kuptojmë kur fëmija nuk flet në praninë e prindërve, por vetëm në ambjente jashtë shtëpisë?

Dr.Elona Dashi: Patjetër që kjo është është një  pikë e rëndësishme, por unë do thoja që të jemi të kujdesshëm, ta monitorojmë shoqërinë që fëmija frekuenton me shkollën, me aktivitetet sportive, apo ato jashtë shkollore, dhe në këtë mënyrë kemi më shumë informacion rreth shoqërisë, rreth ambjentit. Tjetër një faktor shumë i rëndësishëm është të mos e lem asnjëherë fëmijën me fëmijë të tjerë më të rritur apo në mjedise që janë jo të përshtatshme për fëmijët, siç mund të jenë bilardo apo aktivitete të tjera që ka persona më të rritur dhe patjetër fjalori është i papërshtatshëm dhe fëmija do marrë sipas këtij modeli.

CMG: Cila është mosha kur fëmija e kupton këtë veprim që po bën?

Dr.Elona Dashi: Mosha se kur fëmija arrin vërtetë të kuptojë domethënien e atyre fjalëve apo frazave që ai përdor është përgjithësisht mosha 5-6 vjeçare. Fëmija është i aftë dhe ka një kuptueshmëri shumë më të madhe dhe të pasojave të veprimeve të tij, dhe padyshim edhe të fjalëve të përdorura, ku prindërit duhet të jenë të kujdesshëm sepse fëmijët në këtë moshë nuk i thonë më fjalët për të  marrë vëmnedjen e tyre, por është një mekanizëm dhe përgjithësisht është i mësuar nga shoqëria .

CMG: A e bën ky veprim që të  pranohet në shoqëri?

Dr.Elona Dashi: Nëse i referohemi kësaj pyetjeje, në fakt është një mënyrë për t’u pranuar nga një shoqëri jo e mirë ku të gjithë shajnë e përdorin fjalë jo të mira , pra të pista, është një tip kodi për  grupin. Ndërsa nëse jemi në një shoqëri tjetër ku nuk përdorin fjalë të pista apo fjalë të pa përshtatshme patjetër që nuk është një mënyrë për të patur vëmendjen e grupit , që gjithmonë varet nga target grupi i shoqërisë që fëmija zgjedh.

CMG: A duhet t’i selektojmë shoqërinë që frekuenton në rast se hasemi me fëmijë që flasim në mënyrë të vazhdueshme?

Dr.Elona Dashi: Prindi duhet të jetë i kundesshëm për të vleresuar jo vetëm fëmijën e vet, por patjetër për të vlerësuar edhe shoqërinë e fëmijës. Mos harrojmë se fëmijët duke u rritur kanë gjithmonë tendencën që të atashohet me shoqërinë, pra nëse modeli fillestar i fëmijës është familja  dhe prindërit, duke u rritur gjithmonë e më tepër model bëhet shoqëria. Ndaj unë gjykoj se është shumë e rëndësishme që shoqëria e fëmijës po ashtu të monitorohet . Nëse ka individë të papërshtatshëm apo shumë ndryshe nga profili i fëmijës tuaj, patjetër duhet të jeni të kujdesshëm dhe këtë ta sqaroni me fëmijën. Nuk mendoj se një largim brutal, pra largimi duke shprehur fjalët; "mos rri me atë" është efektive, por është e rëndësishme që ne të gjejmë gjuhën e bashkëbisedimit dhe komunikimit me fëmijën, për të arritur së bashku në një pikë të mesme.

-Disa fjalë të mënçura thonë: “Fjalët e tua tregojnë çfarë ke në zemër”.

Vër re se ajo që themi nuk tregon vetëm ç’lloj njeriu duam të jemi, por tregon ç’lloj njeriu jemi. Edhe kur thua fjalë banale vetëm ngaqë i thonë të tjerët, fakti që imiton shembullin e tyre, tregon se “shkon pas shumicës” dhe se nuk u qëndron parimeve të tua dhe familjes tënde. Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por kujdes nga rruga e gabuar, dhe kujdes  se mos infektoheni nga fjalori i keq.

Intervistoi: Sava Lena