MJK: Kina është e gatshme të punojë me ShBA-në për të promovuar shkëmbimet njerëzore dhe kulturore
2022-11-24 20:50:53

foto: MJK

foto: MJK

Shkëmbimet kulturore e njerëzore ndërmjet Kinës e ShBA-së janë shumë të rëndësishme dhe të dy vendet duhet të nxitin zgjerimin e tyre, u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Mao Ning në një konferencë shtypi të enjten.

 Gjatë javës së kaluar, Shoqata për Marrëdhënie Publike Kinë-Amerikë dhe Shoqata e Pinpongut e ShBA-së përkujtuan së bashku në Nju-Jork 50-vjetorin e Diplomacisë së Pingpongut Kinë-ShBA, kurse ambasadori kinez në ShBA Qin Gang vizitoi një shkollë fillore dhe një universitet në Jutah.

Pyetjes së gazetarit nëse priten shkëmbime më të forta njerëzore mes Kinës dhe ShBA-së pas takimit të dy krerëve të shtetit në Bali, zëdhënësja iu përgjigj:

 “Shkëmbimet njerëzore Kinë-ShBA janë shumë të rëndësishme dhe të dy palët duhet të inkurajojnë zgjerimin e shkëmbimeve të tilla në të gjithë sektorët. Ky është një mirëkuptim i përbashkët i arritur mes dy presidentëve në takimin e tyre në Bali. Vura re se sportistët amerikanë që morën pjesë në veprimtari shprehën shpresën që shkëmbimet njerëzore do të vazhdojnë t’i japin impuls forcimit të marrëdhënieve kino-amerikane. Në veprimtarinë në Universitetin ‘Brigham Young’ të Jutahut, një i ftuar, që ishte anëtar i grupit artistik të universitetit që vizitoi Kinën në vitin 1979, tha se vazhdimi i miqësisë me Kinën dhe popullin kinez është bërë pjesa më e çmuar e jetës së tij dhe se, pavarësisht se çfarë ndodh në botë dhe në marrëdhëniet kino-amerikane, popujt kujtojnë gjithmonë dashurinë dhe miqësinë që kanë me njëri-tjetrin. Dashamirësia e thellë në këto fjalë është vërtet prekëse.”

Ajo shtoi se Kina e ShBA-ja janë dy vende me histori, kultura, sisteme shoqërore dhe rrugë zhvillimi të ndryshme, por dallime të tilla nuk duhet të bëhen pengesë për besimin dhe miqësinë mes dy popujve, aq më pak për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Kina është e gatshme të punojë me ShBA-në për të vënë në jetë konsensusin e rëndësishëm të arritur ndërmjet dy presidentëve në takimin e tyre në Bali, për të çuar përpara shkëmbimet njerëzore dhe për të hedhur themele të forta për mbështetjen publike për rritjen e shëndetshme dhe të qëndrueshme të marrëdhënieve kino-amerikane. (Zhan Dian/Artan)