CMG-ja: Europa, e pakënaqur me grabitjen prej ShBA-së
2022-11-24 17:00:53


Për shkak të rritjes së çmimit të energjisë dhe kostos së prodhimit në Europë, ndërmarrjet europiane po përballen me një krizë serioze mbijetese. Sipas kryetarit të Konfederatës Franceze të Industrisë Metalurgjike Eric Trappier, pritet që çmimi i energjisë elektrike dhe gazit natyror mesatarisht të katërfishohet. Për shkak se çmimi i energjisë në ShBA është relavisht i qëndrueshëm dhe ligji për uljen e inflacionit mund t’u ofrojë kompanive amerikane subvencione të mëdha, sipërmarrjet europiane nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të shkojnë në ShBA, thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG).

Foto: VCG

Foto: VCG

Kompania gjermane “Volkswagen” ka njoftuar zgjerimin e biznesit të vet në ShBA, kurse në Francë, ndërmarrja më e madhe e shkrirjes së aluminit “Dunkerque” shpalli pakësimin e prodhimit me 20 për qind. Në Holandë, kompania e plehrave për bujqësinë OCI po investon qindra milionë dollarë për ndërtimin e fabrikave në ShBA... “Industritë po arratisen nga Gjermania” paralajmëroi gazeta gjermane “Handelsblatt”.

Rreziqet e çindustrializimit në Evropë po intensifikohen, duke shqetësuar vendimmarrësit europianë. Qysh nga shpërthimi i konfliktit midis Ukrainës dhe Rusisë, Europa ndoqi ShBA-në dhe vendosi sanksione mbi Rusinë, por në fund u bë viktima më e madhe. Në gushtin e këtij viti, ShBA-ja nxori “Ligjin për uljen e inflacionit”, duke u ofruar ndërmarrjeve të automjeteve elektrike të vendit subvencione të shumta dhe duke përjashtuar kompanitë e Europës, Japonisë, Koresë së Jugut dhe vendeve të tjera. Në këto kushte të padrejta, forca tërheqëse e industrisë europiane të automjeteve elektrike është dobësuar dhe ndërmarrjet e kësaj industrie po shkojnë në ShBA, vijon komenti. 

Foto: VCG

Foto: VCG

Presidenti francez Emmanuel Macron e kritikoi ShBA-në për proteksionizëm tregtar. Ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck tha që ShBA-ja po grabit Europën. Zyrtarë të BE-së e kanë akuzuar ShBA-në se ka shkelur rregullat e OBT-së. Franca e Gjermania publikuan të martën një deklaratë të përbashkët, duke theksuar se do të mbrojnë industrinë europiane dhe do të bojkotojnë ligjin e ShBA-së për uljen e inflacionit. 

Për sa i përket përpjekjes së ShBA-së për të bindur aleatët të shtypin zhvillimin e industrisë kineze të gjysmëpërçuesve, shumë vende europiane e kanë kundërshtuar “shkëputjen nga Kina”. Kjo tregon se vendet europiane po bëjnë zgjedhje gjithnjë e më të arsyeshme në çështjet ndërkombëtare, mbyllet komenti i CMG-së.