Gjermania “merr mësim” nga Japonia, “djaloshi i artë” Gavi krijon histori në Kupën e Botës
2022-11-24 18:20:54

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Gjigantja e futbollit, Gjermania, me një ekip të mbushur me yje, e mbizotëroi ndeshjen me Japoninë për Kupën e Botës të FIFA-s në Katar, duke arritur të marrë kryesimin në pjesën e parë nëpërmjet një 11-metërshi. Por japonezët modestë nuk u dorëzuan, dhe në pjesën e dytë e përmbysën rezultatin, duke i çuar tifozët e vet në ekstazë. Dukej si një përsëritje e asaj që kishte ndodhur 27 orë më parë, kur “Davidi mundi Goliatin”: një ekip tjetër aziatik, Arabia Saudite, triumfoi ndaj Argjentinës së Lionel Messi-t, po 2-1, dhe po duke përmbysur rezultatin e pjesës së parë të arritur po me 11-metërsh.

Më vonë po atë ditë, ekipi spanjoll shpartalloi atë të Kosta-Rikës 7-0. Ferran Torres shënoi në secilën prej dy pjesëve të lojës, ndërsa autorët e golave të tjerë ishin Dani Olmo, Marco Asensio, Gavi, Carlos Soler dhe Alvaro Morata, duke e çuar ekipin e Luis Enrique-s në krye të grupit.

Në moshën 18 vjeç e 110 ditë, “djaloshi i artë” Gavi u bë golshënuesi më i ri në Kupën e Botës që nga legjenda braziliane Pele më 1958.

Përkundrazi, Belgjika nga ana e saj arriti një fitore të ngushtë 1-0 me Kanadanë, falë golit të Michy Batshuayi-t në pjesën e parë, ndërsa portieri belg Thibaut Courtois priti një 11-metërsh të gjuajtur nga Alphonso Davies.

Ndërsa Maroku arriti të marrë një barazim pa gola me nënkampionen e vitit 2018, Kroacinë. Luka Modriç, ylli kroat 37-vjeçar për të cilin kjo është Kupa e katërt e Botës, krijoi disa raste të mrekullueshme, por portieri i Marokut Yassine Bounou ishte i vendosur për të mos e lënë rrjetën e vet të prekej.