Çelësi për të trajtuar ndryshimet klimatike është që vendet e zhvilluara ta mbajnë fjalën
2022-11-22 13:53:43

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Pas një debati të ashpër, Konferenca e 27-të e Palëve të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimin e Klimës (COP27) u mbyll në Sharm El-Sheikh të Egjiptit të dielën, duke zgjatur 36 orë më shumë sesa ishte planifikuar fillimisht. Në këtë konferencë u miratuan dhjetëra rezoluta, më e spikatura prej të cilave ishte miratimi i Fondit të Humbjeve dhe Dëmeve, për të ndihmuar vendet në zhvillim dhe të cenueshme që janë prekur nga ndryshimi i klimës.

Kjo është një arritje e siguruar me vështirësi, që u përgjigjet kërkesave urgjente të vendeve në zhvillim dhe është një shtysë pozitive për procesin global të trajtimit të ndryshimit të klimës. Disa media komentuan se “ky është një përparim historik”. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres publikoi një deklaratë, sipas së cilës konferenca ishte një hap i rëndësishëm në arritjen e drejtësisë. Rrjeti televiziv amerikan CNN citoi ekspertë të klimës të kenë thënë se kjo arritje ishte kryesisht për shkak të faktit se vendet në zhvillim ruajtën unitetin, duke pasur një ndikim më të madh se në vitet e kaluara.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Tema e COP27 të këtij viti është "zbatimi", që do të thotë se të gjitha palët duhet të ndërmarrin veprime, e veçanërisht vendet e zhvilluara duhet të mbajnë premtimet e tyre. Historikisht, ndryshimi global i klimës është shkaktuar kryesisht nga vendet e zhvilluara, por shumica e humbjeve dhe e dëmeve të sjella janë përballuar nga vendet në zhvillim, gjë që është e padrejtë. Prandaj, vendet e zhvilluara duhet të marrin "përgjegjësi të përbashkëta, por të ndryshme", të përmbushin detyrimin e tyre për të udhëhequr në uljen e lëshimeve dhe të ofrojnë kompensim për vendet në zhvillim që kanë pësuar dëme nga ndryshimet klimatike.

Në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimin e Klimës në Kopenhagë në vitin 2009, vendet e zhvilluara u zotuan të japin 100 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2020 për të ndihmuar vendet në zhvillim të zbutin ndryshimet klimatike dhe të përshtaten me to. Por ky premtim deri më tani nuk është realizuar. Në përgjigje të “premtimeve të shkelura” të vendeve të zhvilluara, në COP27 vendet në zhvillim në përgjithësi kërkuan që vendet e zhvilluara të përmbushin angazhimet e tyre dhe të japin kompensim. Presidenti nigerian Muhammadu Buhari botoi së fundmi një artikull në gazetën “Washington Post”, duke theksuar se zhvillimi i Perëndimit ka shkaktuar fatkeqësi klimatike në Afrikë dhe se Afrika ka të drejtë të kërkojë “kompensim klimatik” nga Perëndimi. Në konferencë, kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif u kërkoi gjithashtu vendeve të pasura, si ato evropiane dhe Shtetet e Bashkuara, të kompensojnë vendet që kanë pësuar dëme nga ndryshimet klimatike, përfshirë Pakistanin.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Të gjendura nën trysni, vendet e zhvilluara më në fund arritën konsensus me vendet në zhvillim për krijimin e një fondi të humbjeve dhe dëmeve. Por kjo nuk është një dhuratë nga vendet e zhvilluara për vendet në zhvillim, por një përgjegjësi që ato duhet të marrin përsipër. Siç tha ministrja e Ndryshimeve Klimatike e Pakistanit Sheri Rahman: "Kjo nuk është bamirësi, por një paradhënie për të ardhmen tonë dhe investim për drejtësinë klimatike".

Në të njëjtën kohë, duhet theksuar se COP27 nuk ka hartuar një plan për përdorimin e fondit dhe as nuk ka përcaktuar qartë se cilat vende duhet të kontribuojnë dhe si duhet të funksionojë fondi. Së bashku me qëndrimin negativ dhe mungesën e integritetit të vendeve të zhvilluara, publiku ende ka pikëpyetje mbi përdorimin e fondit, kështu që nevojiten negociata të mëtejshme dhe veprime konkrete.