Anija “Arka e Paqes” fillon udhëtimin për në shtëpi
2022-11-21 13:52:23

Foto: VCG

Anija e spitalit detar kinez “Peace Ark” (Arka e Paqes) është nisur për në shtëpi pasi u ka shërbyer më shumë se 13.000 pacientëve në Indonezi gjatë misionit të saj shtatëditor, sipas Marinës Kineze, shkruan “China Daily”.

Sipas Marinës, gjatë kësaj periudhe janë kryer gjithsej 37 operacione në anijen spitalore.

Në njoftim bëhet e ditur se spitali detar gjithashtu dëshmoi suksesin me lindjen e një foshnjeje indoneziane, lindja e shtatë në Arkën e Paqes qëkur u vendos në punë në 2008.

Ekspertët nga Arka e Paqes mbajtën seminare akademike në internet me ekspertë nga spitali detar indonezian dhe kryen konsultime të përbashkëta në internet për sëmundje të vështira me ekspertë nga shumë vende, thuhet në njoftim.

Pas ceremonisë së nisjes të premten në mëngjes, Arka e Paqes kreu gjithashtu stërvitje me anijen spitalore “KRI Semarang” të Marinës indoneziane në tema të tilla si komunikimi i përbashkët, ndriçimi dhe flamuri dhe lundrimi në formacion.

Arka e Paqes është anija e parë spitalore e ushtrisë kineze dhe ka një zhvendosje prej më shumë se 10.000 tonë.

Përveç udhëtimit në Indonezi, ajo është angazhuar në nëntë misione jashtë shtetit, duke lundruar rreth 240.000 milje detare dhe duke u shërbyer më shumë se 230.000 personave në 43 vende dhe rajone anembanë botës. (Fatosi)